Një kandidat për magjistrat i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania me një denoncim ku ngre shqetësime serioze mbi funksionimin e sistemit të drejtësisë, rolin e shoqatave të gjyqtarëve dhe qëndrimin e drejtuesve të tyre përballë pushtetit ekzekutiv.
Sipas tij, aktualisht gjyqtarët në Shqipëri përfaqësohen nga dy struktura: Unioni i Gjyqtarëve, i drejtuar nga Gerd Hoxha, dhe Shoqata e Gjyqtarëve, me kryetar Engert Pëllumbi. Kandidati shpreh habinë pse, sipas tij, vetëm Shoqata e Gjyqtarëve ka reaguar publikisht ndaj sulmeve dhe deklaratave të Kryeministrit mbi të drejtat kushtetuese të gjyqtarëve, ndërkohë që Unioni ka zgjedhur heshtjen.
Ai sugjeron se kjo sjellje mund të lidhet me interesa personale, frikë përballjeje me qeverinë, apo pritshmëri për emërime në poste drejtuese, duke ngritur dyshime për pavarësinë reale të përfaqësimit të gjyqtarëve.
Denoncimi i plotë i kandidatit për magjistrat:
“Gjyqtarët kurajozë dhe ata të kapur? Jam një kandidat për magjistrat që së shpejti do jem pjesë e sistemit gjyqësor dhe ndjek me vëmendje zhvillimet jo vetëm në sistem, por edhe vendim tim, të cilit kam zgjedhur t’i shërbej. Gjyqtarët kanë 2 shoqata, Unionin e gjyqtarëve kryetar i të cilit është Gerd Hoxha dhe Shoqatën e gjyqtarëve, kryetar i të cilit është Engert Pëllumbi. Kam gjithë këtë kohë që shoh të baltosen gjyqtarët për një të drejtë kushtetuese që u takon pikërisht nga formula e zgjedhur nga Kushtetuta dhe ligji dhe nuk po kuptoj dot pse reagimin ndaj baltosjes së KM e ka paraqitur vetëm Shoqata e Gjyqtarëve dhe jo Unioni i Gjyqtarëve, ndërkohë që të dy këto shoqata teorikisht duhet të mbrojnë interesat e gjyqtarëve dhe të publikut? E vetmja përgjigje logjike që më vjen është se kryetari i unionit nuk do të përballet me qeverinë për të mos krijuar konflikt personal… Kurajoz sigurisht që jo, i kapur patjetër që po. Për t’u vijuar…”
Në mbështetje të shqetësimeve të tij, kandidati i referohet edhe një kërkese zyrtare të Unionit të Gjyqtarëve, drejtuar Gjykatës Kushtetuese, e përfaqësuar nga kryetari Gerd Hoxha, ku kërkohet shfuqizimi i disa dispozitave të ligjit nr. 33/2023 mbi pagat e magjistratëve, duke i cilësuar ato si antikushtetuese.
Nga dokumentacioni rezulton se Unioni ka qenë aktiv në ndjekjen e çështjes së pagave në rrugë institucionale, ndërkohë që kandidati ngre pikëpyetjen pse kjo “kurajo” ligjore nuk është shoqëruar, sipas tij, me qëndrim publik ndaj sulmeve politike ndaj gjyqësorit.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese i vitit 2022, i cituar gjerësisht në kërkesë, konstaton se ndërhyrjet ligjore që ulin pagat e magjistratëve cenojnë parimet e shtetit të së drejtës dhe pavarësinë e gjyqësorit. Megjithatë, kandidati ngre dyshime nëse përfaqësimi i interesave të gjyqtarëve po përdoret realisht për mbrojtjen e pavarësisë së sistemit apo po instrumentalizohet në raporte të heshtura me pushtetin.
JOQ Albania e publikon këtë denoncim si një dëshmi të pakonfirmuar, duke ia lënë vlerësimin institucioneve përkatëse dhe opinionit publik.
Pyetjet e ngritura nga kandidati për magjistrat mbeten të hapura:
A po përfaqësohen realisht gjyqtarët? A ka standard të dyfishtë në përballjen me pushtetin? Dhe a është heshtja formë neutraliteti apo kompromisi?