Katër muaj më parë, Policia e Shtetit dhe Ministria e Brendshme shpallën me bujë një aksion për ndalimin e monopatinave elektrike në Tiranë. Arsyeja? Rritja e rasteve të aksidenteve dhe mungesa e një kuadri ligjor që të rregullonte qarkullimin e tyre. Ministrja Albana Koçiu dhe drejtori i Policisë, Ilir Proda, garantuan se ndalimi do të ishte i përkohshëm, deri në hartimin e një rregulloreje të posaçme.
Menjëherë pas deklaratave publike, Policia Rrugore zbriti në terren duke sekuestruar rreth 2 mijë monopatina. Qytetarët u ndaluan, mjetet u bllokuan, ndërsa premtimi ishte i qartë: rregullorja po vjen.
Por sot, katër muaj më pas, rregullorja nuk ekziston, aksioni është shuar dhe monopatinat janë rikthyer masivisht në rrugët e kryeqytetit. Pa kufizime, pa kontrolle dhe pa asnjë ndërhyrje nga policia, qytetarët lëvizin sërish lirshëm, sikur asgjë të mos kishte ndodhur.
Në heshtje totale, Policia dhe Ministria e Brendshme duket se kanë pranuar dështimin e aksionit. Pa një akt ligjor dhe pa zbatim në terren, ndalimi mbeti thjesht një shfaqje momentale, që u shua po aq shpejt sa nisi.
Ndërkohë, një tjetër problem po del në pah: kthimi i monopatinave të sekuestruara. Qytetarë të ndryshëm denoncojnë se, kur janë paraqitur për të tërhequr mjetet e tyre, nuk i kanë gjetur më. Kjo ka ngritur pikëpyetje serioze mbi administrimin, ruajtjen dhe transparencën e mjeteve të bllokuara nga policia.
Nga “rrezik serioz për jetën” në lëvizje të lirë pa asnjë rregull, historia e monopatinave elektrike në Tiranë mbetet edhe një shembull tjetër i aksioneve pa fund, pa përgjegjësi dhe pa rezultate.