Një qytetare i është drejtuar redaksisë sonë për të ngritur një alarm serioz mbi mënyrën se si funksionojnë disa klinika private në Shqipëri, duke vënë në pikëpyetje profesionalizmin, etikën dhe përgjegjësinë mjekësore.
Sipas denoncimit, ajo i është drejtuar Klinikës Salus për një ndërhyrje estetike në hundë, e cila është marrë përsipër nga doktoresha Klaudia Stajka. Por ajo që duhej të ishte një ndërhyrje për përmirësim estetik, sipas qytetares, është kthyer në një makth fizik dhe shëndetësor.
Pas operacionit, vajza ka përjetuar ënjtje të forta në fytyrë, të cilat, sipas saj ishin jashtë çdo norme. Momentin që ka hequr allçinë, rezultati ka qenë tronditës: hunda ishte deformuar rëndë dhe puna e kryer dukej, katastrofike. Problemi nuk ka qenë vetëm estetik, por edhe funksional, pasi për 4–5 muaj ajo nuk ka mundur të marrë frymë normalisht.
Qytetarja ka kontaktuar disa herë doktoreshën për shqetësimet e saj, por përgjigjja e vetme ka qenë: “jepi kohë”. Koha ka kaluar, përmirësimi nuk ka ardhur, ndërsa gjendja është përkeqësuar. Pas konsultave me mjekë të tjerë, asaj i është thënë se hunda ka nevojë për rimodelim urgjent dhe madje për një ndërhyrje të dytë, ku do të nevojitej marrja e kërcit nga brinjët.
Kur vajza është rikthyer në Klinikën Salus, sipas saj, ajo është përballur me mohim përgjegjësie, ndërsa mjekë të tjerë janë etiketuar si “jo profesionistë”. Pas këmbënguljes, ajo është takuar me drejtoreshën e klinikës, e cila i ka ofruar dy opsione: ose të ribëjë hundën sërish në Salus, ose t’i kthehen paratë.
Qytetarja ka refuzuar kategorikisht të futet sërish në një sallë operacioni në të njëjtën klinikë dhe ka kërkuar kthimin e shumës së paguar. Që nga ai moment, sipas denoncimit, askush nuk ka marrë përgjegjësi, dhe paratë nuk i janë kthyer.
Ky rast vjen pas një tjetër denoncimi të publikuar më herët nga JOQ, ku një i ri ka ngritur akuza të ngjashme ndaj një tjetër spitali privat. Dy raste të ndryshme, por me të njëjtën skemë: premtime, pasoja të rënda dhe mungesë totale përgjegjësie.