Një ngjarje e rëndë ka tronditur fshatin Çërragë në Belsh, ku një e moshuar ka humbur jetën si pasojë e sulmit nga një qen.
Viktima është identifikuar si shtetasja Emine Agolli, rreth 65 vjeçe. Sipas informacioneve paraprake, e moshuara është sulmuar nga qeni i një fqinji, i cili e ka kafshuar në pjesën e këmbës.
Mësohet se plagët e marra kanë qenë të rënda dhe kanë shkaktuar një gjakderdhje masive, e cila rezultoi fatale për 65-vjeçaren, duke i marrë jetën përpara se të mund të merrte ndihmën e nevojshme mjekësore.
Menjëherë pas raportimit të ngjarjes, forcat e policisë kanë mbërritur në fshatin Çërragë për të kryer këqyrjen e vendit të ngjarjes. Policia ka nisur procedurat hetimore ndaj pronarit të qenit për të përcaktuar rrethanat e plota të ngjarjes dhe përgjegjësinë ligjore të tij mbi mbajtjen e kafshës dhe mosparandalimin e tragjedisë.
Pritet që trupi t’i nënshtrohet ekspertizës mjeko-ligjore për të konfirmuar shkakun zyrtar të vdekjes. Kjo ngjarje ka rikthyer vëmendjen te siguria publike dhe përgjegjësia e pronarëve të kafshëve shtëpiake në zonat e banuara, veçanërisht në rastet e kafshëve që shfaqin agresivitet.