Rrjolli kundër resortit të Ulajt! Dita 3 e protestës, përplasje me policinë

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 04.02.2026, 11:19

Në ditën e tretë të protestës, banorët e zonës Baks–Rrjoll në Shkodër kanë vijuar kundërshtimin ndaj ndërtimit të resortit luksoz që po zhvillohet nga biznesmeni dhe botuesi Bashkim Ulaj. 25 banorët që u shoqëruan një ditë më parë nga policia janë liruar dhe janë rikthyer sërish në protestë, duke u bashkuar me banorët e tjerë që kundërshtojnë punimet në terren.

Gjatë protestës nuk kanë munguar përplasjet me efektivët e policisë, të cilët i kanë larguar banorët nga rruga ku kanë nisur punimet për resortin turistik pranë zonës së lidhur me familjen Berisha. Banorët pretendojnë se toka e tyre është zaptuar në mënyrë të padrejtë nga privati dhe se shteti po përdor forcën për të shtypur rezistencën e tyre, pavarësisht kundërshtimeve të vazhdueshme.

Më 15 janar 2025, Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, ka firmosur lejen e ndërtimit për kompleksin turistik gjigant që do të shtrihet në rreth 146 hektarë, ndërmjet Ranës së Hedhun dhe Velipojës. Ndërkohë, më 31 dhjetor 2024, Bashkim Ulaj së bashku me vëllezërit Astrit dhe Ahmet Ulaj përfituan statusin e veçantë “investitor strategjik” për projektin “Blue-Borgo”, që do të realizohet nga kompania “Aba Blue Borgo” sh.p.k., një nga investimet më të mëdha turistike të planifikuara në vend.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit