Një operacion hetimor i Prokurorisë së Durrësit ka zbardhur mekanizmin e frikshëm se si dy kompani të njohura tentuan të eksportonin jashtë Shqipërisë një sasi prej 2800 ton mbetjesh të rrezikshme duke i maskuar ato si mallra të ligjshme industriale.
Sipas dosjes hetimore, shoqëritë Kurum International dhe Sokolaj sh.p.k kanë bashkëpunuar për të fshehur natyrën helmuese të ngarkesës që ishte nisur drejt Azisë përmes anijes Moliva. Skandali u zbulua pasi analizat laboratorike të kryera në Itali nga laboratorit i specializuar Advanced Analytical Services konfirmuan se në 102 kontejnerët e bllokuar nuk gjendej oksid hekuri ashtu siç ishte deklaruar në dokumente por mbetje me rrezikshmëri të lartë mjedisore.
Rezultatet e laboratorit italian ishin dërrmuese pasi mostrat e marra direkt nga kontejnerët dhe nga mjediset e kompanisë Kurum treguan prani tejet të lartë të metaleve të rënda si zinku, hekuri, plumbi, bakri dhe squfuri. Ekspertët kimikë-mjedisorë arritën në përfundimin se ky material përfaqëson atë që njihet teknikisht si pluhuri i furrës elektrike të çelikut i cili mban kodin specifik 10 02 07* që e klasifikon ligjërisht si mbetje të rrezikshme sipas direktivave të Bashkimit Evropian. Ky pluhur është produkt i proceseve teknologjike të shkrirjes së çelikut dhe kërkon protokolle strikte trajtimi të cilat subjektet në fjalë tentuan t'i anashkalonin tërësisht.
Hetimi ka dokumentuar një skemë të mirëfilltë falsifikimi të faturave tatimore për të manipuluar llojin e mallit. Dokumentet tregojnë se kompania Kurum kishte lëshuar fillimisht fatura me përshkrimin oksid zinku por më pas këto fatura janë korrigjuar me qëllim që malli të paraqitej si oksid hekuri për t'iu përshtatur kontratës së lidhur me shoqërinë Sokolaj. Prokuroria thekson se të dyja palët ishin në dijeni të plotë të rrezikshmërisë së mbetjeve dhe kanë kryer veprime konkrete për të fshehur ekzistencën e faturave origjinale duke paraqitur fatura korigjuese me qëllim eksportimin e tyre jashtë vendit duke shkelur çdo detyrim ligjor shqiptar dhe ndërkombëtar.
Në qendër të kësaj marrëveshjeje rezulton edhe kompania ndërmjetëse GS Mineral D.o.o me bazë në Kroaci e cila drejtohet nga Gjoni Sokolaj djali i Gjovana Sokolajt që administron subjektin shqiptar. Megjithëse provat shkencore dhe dokumentare vërtetojnë mashtrimin administratorët e përfshirë kanë mohuar akuzat gjatë marrjes në pyetje duke pretenduar se nuk kanë pasur kurrë qëllim eksportin e mbetjeve toksike. Ky skandal mbetet një nga rastet më të rënda të krimit mjedisor në vend pasi ekspozimi i këtyre mbetjeve ndaj mjedisit mund të kishte pasoja të pariparueshme për shëndetin publik dhe ekosistemin.