Ndërsa qeveria shqiptare e reklamon si një arritje teknologjike, ndërtimi i qendrës së parë të të dhënave (Datacenter) nga grupi izraelit ADC në zonën e Kasharit ngre pikëpyetje të forta mbi favorizimin e një subjekti privat dhe sigurinë e të dhënave shtetërore. Ky investim, që kap vlerën e 100 milionë eurove, duket se ka gjetur një "rrugë të hapur" në zyrat e administratës shqiptare, duke siguruar leje ndërtimi në një kohë rekord prej vetëm 60 ditësh.
Investimi nuk po realizohet në një truall të blerë në tregun e lirë, por në 1.8 hektarë tokë shtetërore brenda zonës TEDA, me opsionin për t'u zgjeruar edhe më tej. Për më tepër, shteti shqiptar ka marrë përsipër barrën kryesore të infrastrukturës: OSHEE po ndërton një nënstacion të dedikuar dhe KESH do të furnizojë projektin me energji të gjelbër hidroelektrike. Ky angazhim masiv i burimeve publike për të lehtësuar një biznes privat ngre pyetje nëse kushte të tilla do t'u ofroheshin edhe investitorëve të tjerë, apo nëse bëhet fjalë për një trajtim preferencial të lidhur me marrëdhëniet diplomatike.
Ndonëse flitet për një shifër prej 100 milionë eurosh, të dhënat tregojnë se kompania izraelite ADC ka siguruar 75% të kësaj shume përmes një kredie nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH). Kjo do të thotë se ekspozimi financiar i vetë aksionerëve izraelitë është i kufizuar, ndërkohë që garancitë e projektit mbështeten te kontratat e siguruara paraprakisht, përfshirë edhe ato me institucionet shtetërore shqiptare që pritet të jenë klientët kryesorë.
Pika më delikate e këtij investigimi mbetet siguria kombëtare dhe sovraniteti digjital. Pas sulmeve kibernetike të vitit 2022, Shqipëria ka krijuar një varësi të fortë nga ekspertiza izraelite. Sot, një pjesë e të dhënave të qeverisë shqiptare (identiteti i institucionit mbetet sekret) pritet të ruhen në këtë qendër private në pronësi të huaj.
Ky projekt nuk mund të shihet i shkëputur nga konteksti gjeopolitik. Kohët e fundit, Shqipëria ka rritur ndjeshëm blerjet e armatimeve nga Izraeli, përfshirë dronët dhe sistemet e artilerisë nga Elbit Systems. Ky "bum" investimesh lë të kuptohet se pas fasadës së teknologjisë, po zhvillohet një marrëdhënie komplekse ku shkëmbimet tregtare dhe dhënia e tokave shtetërore mund të jenë pjesë e marrëveshjeve më të gjera politike dhe ushtarake, larg transparencës që kërkon një shtet demokratik.
Pyetje që kërkojnë përgjigje: