Pezullohen 5 policë: Mes tyre miku i shënjestrës së atentatit në Lezhë

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 03.02.2026, 21:16

Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ka ndërmarrë një masë drastike duke pezulluar nga detyra pesë punonjës policie në qarqe të ndryshme të vendit, pas dyshimeve për shkelje të rënda disiplinore dhe përfshirje në veprimtari të paligjshme. Ky vendim vjen nga Drejtoria e Standardeve Profesionale, e cila ka konstatuar veprime që cenojnë rëndë imazhin e institucionit, duke filluar me dy inspektorë të qarkullimit rrugor në Fier, Sh. Ç. dhe I. L., të cilët dyshohen për veprime korruptive dhe shkelje të procedurave standarde gjatë kontrollit të një drejtuesi mjeti në shërbim e sipër.

Në të njëjtën kohë, masat e pezullimit kanë prekur edhe sektorë të tjerë, ku spikat rasti i inspektorit B. K., i cili u ndalua me urdhër të Prokurorisë pas dyshimeve për shpërdorim detyre në lidhje me atentatin e ndodhur më 1 shkurt në Rrilë të Lezhës, ku efektivi njihej edhe si mik i shënjestrës së sulmit. Paralelisht me këtë rast, në Mat është pezulluar inspektori E. P. nën dyshimet për përdorim të lëndëve narkotike, ndërsa në Krujë, oficeri i patrullës E. B. është vënë në pranga nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore si i dyshuar për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.

Policia e Shtetit ka bërë të ditur se për të gjitha këto raste po bashkëpunohet ngushtë me AMP-në dhe prokuroritë përkatëse për të çuar deri në fund hetimet procedurale dhe penale. Përmes një komunikate, institucioni ka rikonfirmuar vendosmërinë për të ndëshkuar çdo punonjës që shpërdoron besimin e dhënë, duke u bërë thirrje qytetarëve dhe medias që të vijojnë denoncimin e çdo sjelljeje joetike apo veprimi të paligjshëm që vjen nga radhët e uniformave blu.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit