Studentët e Universitetit të Sporteve: 3 vite shkollë… por pa licencë! Si lejohet kjo nën hundën e Ministrisë së Arsimit?!

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 03.02.2026, 19:56

Një denoncim shqetësues ka mbërritur në redaksinë e JOQ Albania nga një student i Universitetit të Sporteve, Fakulteti i Shkencave të Rehabilitimit, i cili ngre një alarm serioz për atë që e quan një mashtrim institucional ndaj studentëve.

Sipas studentit, prej vitit të parë e deri në vitin e tretë, studentët kanë ndjekur normalisht mësimin, duke paguar kohë, mund, shpenzime, sakrifica, por pa u informuar se fakulteti i tyre nuk ishte i licencuar.

Skandali?

Studentët thonë se vetëm në fund të vitit të dytë janë njoftuar se fakulteti nuk ishte i licencuar dhe se “po punohet për ta rregulluar”.

Pra, me pak fjalë: 3 vite studim, por pa garanci për profesionin.

Studenti shprehet se janë rreth 4 breza studentësh që ndodhen në të njëjtën situatë, duke marrë vetëm “premtime” dhe “procesime” pa fund:

“Na thonë e kemi çuar për procesim, por përgjigja s’ka dalë ende… ndërkohë vitet ikin.”

Pyetja që ngrihet natyrshëm është kjo: Si është e mundur që një fakultet të funksionojë, të regjistrojë studentë, të mbajë mësim për vite me radhë, pa qenë i licencuar, dhe askush të mos mbajë përgjegjësi?

Dhe më e rëndësishmja: Ku është Ministria e Arsimit? Ku janë strukturat që kontrollojnë, akreditojnë, licencojnë dhe monitorojnë institucionet arsimore? A ka kontroll real? A ka transparencë? Apo studentët thjesht përdoren si numra në letra?

“Premtime boshe”, bojkot dhe tani… PROTESTË

Studentët tregojnë se, të zhgënjyer nga situata, kanë vendosur të bojkotojnë mësimin, së bashku me studentët e viteve 1 dhe 2, nga mesi i janarit deri në fund të muajit.

Sipas tyre, pas takimeve me drejtuesit, u është premtuar: “Deri në fund të janarit situata do rregullohet dhe do keni të drejtën e licencimit për të ushtruar profesionin.”

Por sipas studentëve, asgjë nuk është zgjidhur.

Madje, ata thonë se në takime u është thënë se nëse kërkesa nuk plotësohej, edhe vetë drejtuesit do dilnin në protestë me ta, ndërsa tani, sipas denoncimit:

“Para disa ditësh nuk ranë dakord të protestonin me ne dhe vazhdojnë të na mbajnë me premtime.”

Studentët paralajmërojnë se protesta do të zhvillohet në ditët në vijim, sepse siç thonë ata: “Do protestojmë për të drejtën tonë.”

Një sistem që “gëlltit” të rinjtë?

Kemi të bëjmë me një rast ku studentët rrezikojnë të dalin pa licencë, pra pa mundësi reale për të ushtruar profesionin, pasi kanë investuar 3 vite të jetës së tyre.

Nëse sot është Fakulteti i Rehabilitimit, nesër kush? Sa të tjerë po diplomohen në terr pa e ditur?

JOQ Albania i bën thirrje Ministrisë së Arsimit, Universitetit të Sporteve dhe institucioneve përkatëse të japin një sqarim publik:

  • A është i licencuar ky fakultet?
  • Nëse jo, pse janë regjistruar studentë?
  • Kush e mban përgjegjësinë për 4 breza?
  • Çfarë garancie kanë studentët që nuk do u digjen vitet?

JOQ është e hapur për reagim zyrtar nga institucionet.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit