“Zbardhen 3 autorët e dyshuar për atentatin në Rrilë të Lezhës, njëri nip i ish-deputetit socialist; konflikti me Nikulajn ka nisur në verë”

Shkruar nga: A Gjoni | Publikuar më: 02.02.2026, 22:37

Policia e Lezhës ka shpallur në kërkim tre persona të dyshuar për atentatin e ndodhur të dielën në fshatin Rrilë, ku mbeti i plagosur Sokol Daci.

Bëhet fjalë për Gerardo Ndoka, Eliseo Ndoka dhe Kevin Ndoka, ky i fundit nip i ish-deputetit socialist, Arben Ndoka. Në ngjarje është përfshirë edhe Merando Nikulaj, i cili po ashtu është shpallur në kërkim.

Sipas hetimeve, konflikti mes dy familjeve ka nisur gjatë verës, pranë zonës së plazhit ku kanë edhe hotele. Dy djemtë e Nikulajve i kanë përplasur motorin djemve të fisit Ndoka, dhe më pas ka pasur përplasje fizike me përdorim të shkopave të bejsbollit dhe sendeve të tjera të forta. Merando Nikulaj është çuar në gjyq për këtë incident.

Policia njoftoi se pas ngjarjes së datës 01.02.2026, rreth orës 21:00, Njësia e Posaçme Hetimore e DVP Lezhë, nën drejtimin e Prokurorisë, ka vijuar hetimet intensive për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Në kuadër të veprimeve hetimore, u ekzekutua urdhri i ndalimit për shtetasin Besart Kovaçi, 24 vjeç, i dyshuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.

Nga hetimet e kryera ka rezultuar se në ngjarje janë përfshirë si të dyshuar: Gerardo Ndoka, Eliseo Ndoka, Kevin Ndoka dhe Merando Nikulaj, të cilët janë shpallur në kërkim për veprat penale, “Vrasje me dashje, e mbetur në tentativë”, “Mbajtje pa leje të armëve të zjarrit, municionit dhe lëndëve shpërthyese”.

Ndërsa shtetasi B. K. dyshohet për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.

Policia dhe Prokuroria e Lezhës vijojnë punën për dokumentimin ligjor të ngjarjes dhe kapjen e personave të shpallur në kërkim. Për shkak të hetimeve, nuk jepen të dhëna të tjera në këtë fazë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit