Jeffrey Epstein kishte siguruar copëza nga mbulesa e Qabes

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 02.02.2026, 21:36

Dokumentet e publikuara nga dosjet e Jeffrey Epstein kanë zbuluar një detaj të pazakontë: nga komunikimet në email, rezulton se ai kishte siguruar tre fragmente të “Kiswa”-s, mbulesës së zezë që vesh Qaben e shenjtë në Mekë.

Këto objekte dyshohet se u siguruan përmes një biznesmeneje nga Emiratet, Aziza Al-Ahmadi. Në bisedat e dokumentuara, ajo përmend një kontakt saudit, Abdullah Al-Maari, si personin që ka ndihmuar në marrjen e tyre.

Në një email të 22 marsit 2017, Al-Ahmadi e përshkruan pëlhurën si një objekt me “vlerë të madhe shpirtërore”, duke theksuar se ajo ishte prekur nga miliona pelegrinë gjatë ritualeve në Mekë.

Materialet sugjerojnë se dërgesa përbëhej nga një copë nga pjesa e brendshme e Qabes; një fragment nga mbulesa e jashtme e përdorur dhe një pjesë e tretë e prodhuar me të njëjtin material, por e papërdorur. Për të shmangur vëmendjen, dërgesa u etiketua si “vepër arti nga Arabia Saudite”.

Ajo u transportua drejt SHBA-së përmes Miamit, me destinacion final rezidencën e Epstein në St. Thomas, në Ishujt e Virgjër.

Dokumentet përfshijnë detaje të plota logjistike, si faturat e transportit, pagesat dhe konfirmimet e dorëzimit.

Ajo që mbetet ende e rrethuar me mister është arsyeja pse Epstein kishte interes për këto fragmente të shenjta dhe si u krijuan këto lidhje specifike, pasi komunikimet nuk japin një shpjegim mbi qëllimin e këtij koleksioni të pazakontë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit