Gjatë mbledhjes me grupin parlamentar të Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi se aksioni i opozitës po ndiqet me interes të lartë nga komuniteti ndërkombëtar. Sipas liderit të opozitës, vëmendja e partnerëve të huaj është përqendruar te tubimi i paralajmëruar për më 10 shkurt.
Duke folur për rëndësinë e kësaj proteste, Berisha u shpreh: “E gjithë Evropa pret protestën tonë. E gjithë bota pret protestën tonë. I kanë përcjellë protestat me interesin maksimal, ndaj edhe ne do vazhdojmë misionin, misionin e përmbysjes së kësaj diktature dhe rikthimit të votës së lirë të shqiptarëve”.
Gjatë fjalës së tij, ai lëshoi akuza ndaj zëvendëskryeministres Belinda Balluku dhe situatës në AKSHI, ndërsa pretendon se emërimi i Ilir Prodës në krye të Policisë së Shtetit është ndikuar nga krimi i organizuar. Berisha konfirmoi gjithashtu bojkotin e Reformës Territoriale dhe u kërkoi deputetëve të intensifikojnë takimet me qytetarët në terren për t'iu kundërvënë propagandës qeveritare. Sipas tij, aksioni i opozitës do të kulmojë me marshimin përpara Kryeministrisë për të kërkuar largimin e qeverisë.