Zbulohet skema: Si i fshihnin miliona euro agjencitë imobiliare dhe ndërtuesit në Vlorë e Sarandë?

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 02.02.2026, 19:28

Drejtoria e Hetimit Tatimor ka zbardhur mekanizmin e fshehtë përmes të cilit agjencitë imobiliare dhe kompanitë e ndërtimit në zonat bregdetare kanë shmangur deklarimin e fitimeve të tyre reale. Aksioni i nisur në Vlorë dhe Sarandë ka nxjerrë në dritë një skemë evazioni që kap vlerën e miliona eurove, duke goditur drejtpërdrejt praktikat e paligjshme në tregun e pasurive të paluajtshme.

Sipas hetuesve, skema mbështetej në disa shtylla kryesore, ku spikaste operimi i agjencive me volum të lartë shitjesh përmes një NIPT-i të vetëm, me qëllim fshehjen e qarkullimit real. Pjesë e këtij manipulimi ishte edhe mosdeklarimi i parapagimeve që klientët kryenin për apartamentet në ndërtim, transaksione këto që nuk shoqëroheshin me fatura tatimore, duke i mbajtur paratë jashtë sistemit zyrtar.

Gjatë kontrolleve blic, autoritetet kanë sekuestruar pajisje kompjuterike dhe dokumentacion të brendshëm, të cilat po analizohen për të identifikuar shumat e sakta të padeklaruara. Kjo analizë pritet të zbulojë mospërputhje të mëdha mes kontratave të shitjes dhe xhiros që këto subjekte kanë raportuar në organet tatimore. Hetimi ka përfshirë gjithashtu edhe verifikimin e kontratave të qiramarrjes, ku dyshohet se çmimet reale janë shumë më të larta se ato të deklaruara në letra.

Paralelisht me hetimin për pasuritë e paluajtshme, është goditur edhe fenomeni i nëndeklarimit të pagave. Ndërtuesit në këto zona janë vënë nën presionin e rregullave të reja që kanë hyrë në fuqi më 1 dhjetor 2025. Tashmë, çdo tentativë për të deklaruar paga nën 80 mijë lekë për punonjësit e sektorit do të trajtohet si tregues i pastër i evazionit fiskal, duke bërë që subjektet të përballen me penalitete të ashpra dhe kontrolle të shtuara 24/7.

Ky aksion shënon një kthesë në monitorimin e bregdetit, ku Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka paralajmëruar se asnjë transaksion, nga parapagimi i parë e deri te kontrata finale e shitjes, nuk do të mbetet pa u verifikuar në të gjithë zinxhirin imobiliar.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit