Aldo Buzhani, vëllai i viktimës Mondi Mëhalla, është marrë në pyetje për herë të dytë nga autoritetet hetimore në lidhje me vrasjen e ndodhur më 30 nëntor 2025 në qytetin e Elbasanit.
Gjatë dëshmisë së tij para grupit hetimor, Buzhani ka dhënë sqarime mbi konfliktet e mundshme që mund të ketë pasur vëllai i tij para ngjarjes. Ai ka theksuar se Mondi Mëhalla nuk ka pasur asnjë konflikt me ortakun e tij, Xhino Ago, i cili aktualisht ndodhet në burg, duke përjashtuar kategorikisht përfshirjen e këtij të fundit në vrasje.
Për të përforcuar këtë qëndrim, Aldo Buzhani dhe motra e tij kanë depozituar edhe deklarata noteriale në Prokurorinë e Elbasanit, ku sqarojnë marrëdhënien e familjes me Xhino Agon dhe rolin e tij në biznesin e viktimës.
Në deklaratën e tij noteriale, Buzhani shprehet: “Deklaroj me përgjegjësi morale dhe para autoriteteve se marrëdhënia me Xhino Agon ka qenë dhe mbetet shumë e mirë. Ne e konsiderojmë si vëllain tonë. Kisha dy vëllezër, tani kam një vëlla: Xhinon.”
Edhe motra e viktimës, Brunilda Mëhalla, ka konfirmuar të njëjtën gjë, duke deklaruar se Xhino Ago nuk ka pasur konflikte me askënd dhe se marrëdhëniet familjare me të kanë qenë gjithmonë shumë të mira.
Ndërkohë, Aldo Buzhani ka folur edhe për konfliktet që Mondi Mëhalla ka pasur me shtetasin Marselo Arani, të lidhura fillimisht me dhënien me qira të disa automjeteve. Sipas tij, më pas kanë pasuar edhe diskutime për marrjen e dy vilave në Tiranë, të cilat rezultuan problematike.
Hetimet për këtë ngjarje të rëndë vijojnë, me ripyetjen e disa personave të tjerë. Aktualisht, Prokuroria e Elbasanit mban në arrest Nevzat alias Nevi Spahon nga Prenjasi, punonjësin e karburantit Kujtim Pisha, si dhe Xhino Agon, ortak i viktimës.
Në kërkim policor vijojnë të jenë Marselo Arani, banues në Elbasan, si dhe shoku i tij nga Laçi, Armando Kola.
Sa i përket Nevzat Spahos, i dyshuar si një nga autorët e drejtpërdrejtë të vrasjes së Mondi Mëhallës, ai nuk e ka pranuar në asnjë moment akuzën, duke pretenduar rrethana të tjera për ngjarjen.