Atentati i fundit në Rilë të Lezhës, i lidhur me emrin e Merando Nikulajt, nip i Ardian Nikulajt, por ku plumbat kapën gabimisht berberin Sokol Daci, rikthen në qendër të vëmendjes jo vetëm konfliktin e përgjakshëm mes fiseve Nikulaj dhe Lekstakaj, por edhe keqpërdorimin e Kanunit si justifikim për dhunë pa kufi. Një zinxhir vrasjesh i nisur në 1996 nga një konflikt banal për 5 mijë lekë të vjetra karburant vazhdon të prodhojë viktima pas gati tri dekadash, duke përfshirë të rinj, civilë të pafajshëm dhe njerëz pa asnjë rol në ngjarjet e dikurshme, duke treguar se ajo që po ndodh nuk është më Kanun, por kriminalitet i zhveshur nga çdo normë.
Historia e gjakmarrjes nisi në 1996, kur një konflikt në një pikë karburanti në Lezhë çoi në vrasjen e Pëllumb Nikulajt dhe punonjësit Fran Qulaj. Më 1997 u vranë Gëzim Lekstakaj dhe Lauren Gjetja, ndërsa më 1999 Gjovalin Lekstakaj u vra dhe Pjetër Lekstakaj u plagos, duke detyruar disa anëtarë të familjes të largohen në emigrim. Në hakmarrje, Nikoll Nikulaj vrau Gjovalinin dhe plagosi Pjetrin, ndërsa në 2023 Edmond Haxhia, i afërm i Lekstakajve, organizoi vrasjen e biznesmenit Ardian Nikulajt (Marku) nga Ruben Saraiva. Tani, atentati i fundit dyshohet të ketë përfshirë Merando Nikulaj, me viktimë aksidentale berberin Sokol Daci, duke treguar se gjakmarrja vazhdon të marrë jetë të pafajshme dhe breza të rinj, ndërsa Kanuni përdoret si justifikim për dhunë të verbër.
Kanuni i Lekë Dukagjinit, ndryshe nga mënyra si përdoret sot, kishte rregulla të qarta dhe kufizuese, gratë, fëmijët, të sëmurët, pleqtë dhe të pafajshmit përjashtoheshin nga gjaku, vrasja pa qëllim nuk ndiqej me pushkë, ndërmjetësimi, besa dhe pajtimi ishin shtylla kryesore për ndalimin e përshkallëzimit, ndërsa shkelja e rregullave ndëshkohej rëndë. Sot, atentate në ambiente publike, plagosje të civilëve dhe autorë të shumtë tregojnë se Kanuni nuk respektohet, por abuzohet si alibi për dhunë dhe atentate mafioze. Një konflikt për 5 mijë lekë nuk mund të justifikojë dekada gjaku, e aq më pak të marrë peng breza të rinj, ajo që shihet sot është jo traditë, por dështim shoqëror dhe shtetëror për të ndaluar një plagë që po riciklohet pa fund.