Aksi Librazhd–Qafë Thanë u bllokua për rreth 7 orë më 1 shkurt pas rrëshqitjes së një masivi dheu dhe gurësh në zonën e njohur si “Kthesat e Dragostunjës”. Qindra shoferë mbetën të bllokuar, disa u detyruan të ktheheshin dhe të gjenin rrugë alternative, ndërsa temperaturat e ulëta e bënin situatën edhe më të rrezikshme.
Kreu i ARRSH-së, Ami Kozeli, tha se shkak ishte fenomeni natyror dhe reshjet e shumta, duke mohuar çdo përgjegjësi të firmave ose qeverisë. Por qytetarët kritikojnë mungesën e paralajmërimeve, pastrimin e ngadalshëm dhe menaxhimin e dobët të trafikut, që rrezikoi sigurinë e tyre.
Edhe deputeti i PS, Olsi Komiçi, tha se fajësimi i qeverisë është “për të qeshur e për të qarë”, por qytetarët nuk e ndajnë këtë mendim. Ata kërkojnë përgjegjësi konkrete dhe masa për të parandaluar bllokime të tilla në të ardhmen, duke theksuar se jeta e shoferëve dhe pasagjerëve nuk mund të rrezikohet vetëm pse bëhet fjalë për një fenomen natyror.