Ekspertët e Policisë janë rikthyer paraditen e kësaj të hëne në fshatin Rrilë të Lezhës, pranë biznesit ku mbrëmjen e djeshme u regjistrua një atentat me armë zjarri. Ata po kryejnë veprime të detajuara hetimore, duke mbledhur gjurmët e gjakut të gjetura në vendin e ngjarjes, të cilat do t’i nënshtrohen analizës së ADN-së për të verifikuar nëse ka pasur një person tjetër të plagosur dhe për të përcaktuar identitetin e tij.
Nga të shtënat me armë zjarri, katër plumba kanë prekur edhe dy biznese të tjera përballë berberhanes ku ndodhi atentati. Fatmirësisht, personat që ndodheshin brenda këtyre ambienteve kanë shpëtuar pa lëndime, për pak sekonda larg një tragjedie.
Plagosja me armë zjarri u regjistrua mbrëmjen e së dielës në zonën e njohur si kryqëzimi i Rrilës. I plagosur mbeti 30-vjeçari Sokol Daci, pronari i berberhanes ku ndodhi ngjarja. Sipas informacioneve paraprake, ai nuk ishte objektivi i atentatit, por u godit aksidentalisht nga plumbat ndërsa ndodhej brenda ambientit të punës, ku në atë moment kishte edhe persona të tjerë.
Autorët kanë mbërritur përballë berberhanes me një automjet tip Audi A3, nga i cili kanë zbritur tre persona. Ata kanë hapur zjarr me breshëri plumbash drejt lokalit, ku dyshohet se ndodhej shënjestra e atentatit, një person tjetër që ndodhej brenda në atë moment.
Pas sulmit, autorët janë larguar me shpejtësi nga vendngjarja. Sipas burimeve paraprake, dyshohet se ka pasur edhe kundërpërgjigje me armë zjarri, ndërsa personi që ishte objektiv i atentatit është larguar dhe nuk dihet ende identiteti apo vendndodhja e tij.
I plagosuri, Sokol Daci, është transportuar me urgjencë drejt Spitalit të Traumës në Tiranë, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Ai ka marrë tre plagë, në shpatull, bark dhe këmbë, ndërsa gjendja e tij shëndetësore raportohet e stabilizuar.