Detaje të reja janë zbardhur lidhur me atentatin e ndodhur në fshatin Rrilë të Lezhës, ku mbeti i plagosur 30-vjeçari Sokol Daci. Sipas burimeve hetimore, dy automjete, një tip “Audi” dhe një “Volkswagen Passat”, janë afruar pranë berberhanes, nga të cilat kanë zbritur disa persona të armatosur, disa prej tyre edhe me shkopinj bejsbolli.
Në momentin që grupi është afruar drejt ambientit, një punonjës policie që ndodhej brenda berberhanes ka qëlluar me armë zjarri. Pas kësaj, autorët janë kundërpërgjigjur duke qëlluar me armë automatike, dyshohet kallashnikov, rreth 30 plumba, duke lënë të plagosur Sokol Dacin.
Pas ngjarjes, autorët janë larguar me shpejtësi me dy automjetet në drejtim të Fushë-Krujës, ndërsa hetuesit dyshojnë se gjatë përplasjes me armë zjarri ka mbetur i plagosur edhe nipi i Ardian Nikulajt.
Sipas grupit hetimor, Sokol Daci nuk ka qenë shënjestra e atentatit, por është plagosur aksidentalisht si pasojë e përplasjes së armatosur mes personave të tjerë. Distanca e gjuajtjes dyshohet të ketë qenë jo më shumë se katër metra, ndërsa objektiv kanë qenë më shumë se një person.
Punonjësi i Policisë që ndodhej brenda berberhanes ka dëshmuar në komisariat, duke deklaruar se ishte aty rastësisht, për t’u qethur, dhe se në momentin e sulmit ka qëlluar me armë zjarri me qëllim neutralizimin e autorëve, për të mos lejuar depërtimin e tyre në ambient, i cili ndodhej rreth tre metra nga rruga kryesore.
Burime bëjnë me dije se autorët kanë qenë të veshur me rroba ushtarake dhe mbanin kapuçë në kokë, ndërsa pas sulmit janë larguar në drejtim të rrugës që të çon drejt fshatit Shënkoll. Hetimet vijojnë për identifikimin dhe kapjen e autorëve, si dhe për zbardhjen e plotë të rrethanave të atentatit.