Çmimet e produkteve bazë në bare dhe kafene, veçanërisht kafeja dhe uji i paketuar, janë rritur ndjeshëm kohët e fundit, me një rritje që varion nga 20 deri në 30 për qind për secilin produkt. Në disa raste, një shishe ujë 0.5 litër ka arritur të barazohet në çmim me një filxhan kafeje, madje edhe ta tejkalojë atë.
Të dhënat nga tregu tregojnë se në rrjetet e mëdha të kafeve në kryeqytet, çmimi i një shisheje uji 0.5 litër ka arritur në 120 lekë, nga 70–90 lekë që ishte deri para rreth një muaji. Ndërkohë, në baret e zakonshme të Tiranës, i njëjti paketim shitet jo më pak se 90 lekë, nga rreth 70 lekë që kushtonte në fund të vitit 2025.
Si pasojë e këtyre rritjeve, fatura mesatare për një kafe dhe një shishe ujë ka kaluar nga rreth 170 lekë në 220–240 lekë.
Përfaqësuesit e Shoqatës së Bareve dhe Restoranteve, thonë se rritja e çmimit të ujit nuk ka as logjikë ekonomike dhe as etikë, veçanërisht në rastet kur uji shitet më shtrenjtë se kafeja.
“Po ndjekim të njëjtën rrugë që ndoqi Greqia vite më parë, kur nisi abuzimi me çmimin e ujit dhe qeveria u detyrua të vendosë një çmim tavan prej rreth 0.5 euro".
Greqia mbetet rasti unik në Europë që ka miratuar një ligj për vendosjen e çmimit tavan të ujit të thjeshtë të paketuar, zakonisht 500 ml, rreth 0.50 euro me TVSH, i detyrueshëm për bare dhe restorante. Ligji detyron gjithashtu shënimin e qartë të çmimit të ujit në menu, duke e trajtuar atë si produkt bazë jetese. Ndërkohë, në Francë ligji i detyron lokalet të ofrojnë ujë rubineti falas për klientët, çka ushtron presion indirekt mbi çmimin e ujit të paketuar, megjithëse restorantet janë të lira të vendosin çmimin që dëshirojnë për shishet.
Sipas operatorëve të tregut, marzhi i fitimit për ujin e paketuar në bare mbetet i lartë. Një shishe ujë 0.5 litër, që blihet nga marketet ose furnitorët me shumicë me 35–40 lekë, shitet në ambientet e shërbimit jo më pak se 90–100 lekë.
Kompanitë prodhuese të ujit në vend deklarojnë se nuk kanë ndryshuar çmimet e furnizimit me shumicë, duke ia atribuar rritjen e çmimeve në tregun final bareve dhe restoranteve.
Nga ana tjetër, administratorët e bareve argumentojnë se rritja e çmimit të ujit po përdoret për të amortizuar rritjen e ndjeshme të çmimit të kafesë në tregjet ndërkombëtare, si dhe rritjen e kërkesës nga fluksi i turistëve. Sipas tyre, për të mbajtur çmimin e kafesë relativisht të qëndrueshëm, po rritet çmimi i ujit përtej logjikës dhe etikës, duke e vendosur konsumatorin përballë një zgjedhjeje të detyruar.