Atentati në Rrilë/ Nisin kontrollet në klinika private, dyshohet se edhe objektivi i sulmit është plagosur

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 02.02.2026, 09:58

Policia ka intensifikuar kontrollet në klinika dhe spitale private në Lezhë dhe zonat përreth, pas atentatit me armë zjarri të regjistruar mbrëmjen e së dielës në fshatin Rrilë, ku mbeti i plagosur një 30-vjeçar. Hetuesit dyshojnë se edhe objektivi i vërtetë i sulmit mund të jetë plagosur gjatë ngjarjes dhe po kërkon ndihmë mjekësore në mënyrë të fshehtë.

Ngjarja ndodhi brenda një berberhaneje në pronësi të Sokol Dacit, i njohur në zonë edhe si “Berber Coli”. Daci u qëllua me armë zjarri dhe u transportua fillimisht në spital, për t’u dërguar më pas në Spitalin e Traumës në Tiranë, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Burime hetimore bëjnë me dije se në momentin e atentatit brenda ambientit ndodheshin disa persona të tjerë, mes tyre edhe një punonjës policie dhe një anëtar i fisit Nikulaj. Dyshohet se ka pasur shkëmbim zjarri, ndërsa nga hetimet paraprake rezulton se pronari i berberhanes nuk ka qenë shënjestra kryesore e sulmit.

Grupi hetimor po punon me pistën se autorët kanë qenë më shumë se një person. Sipas dyshimeve, ata kanë mbërritur me një automjet tip “Audi A3”, nga i cili kanë zbritur tre persona, të cilët kanë qëlluar me breshëri arme automatike drejt berberhanes, përpara se të largoheshin me shpejtësi nga vendngjarja.

Në kuadër të hetimeve, Policia po ushtron kontrolle në struktura private shëndetësore për të verifikuar nëse ndonjë person me plagë nga armë zjarri ka kërkuar trajtim mjekësor, çka do të përforconte dyshimet se edhe shënjestra e atentatit është plagosur gjatë sulmit.

Dyshohet se pas sulmit ka pasur edhe kundërpërgjigje me armë zjarri, ndërsa personi që ishte shënjestër e atentatit është larguar nga vendi i ngjarjes. I plagosuri ka marrë tre plagë, në shpatull, në bark dhe në këmbë, dhe ndodhet në gjendje të stabilizuar.

Sokol Daci nuk rezulton person me precedentë penalë dhe njihet në komunitet si qytetar pa probleme me ligjin. Hetimet vijojnë për identifikimin dhe kapjen e autorëve, si dhe për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe motivit të ngjarjes.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit