Shënjestra e atentatit të mbrëmshëm me armë zjarri në Rrilë të Lezhës dyshohet se ka qenë një anëtar i fisit Nikulaj. Ngjarja ndodhi brenda një berberhaneje, ku i dyshuari po qethej në momentin e sulmit. Si pasojë e të shtënave, i plagosur mbeti pronari i berberhanes, 30-vjeçari Sokol Daci, i cili u qëllua me tre plumba dhe aktualisht ndodhet nën kujdesin e mjekëve në Spitalin e Traumës në Tiranë. Dyshohet se në atentat kanë marrë pjesë më shumë se një autor, ku njëri prej tyre ka zbritur nga automjeti dhe ka qëlluar me breshëri automatiku. Policia po kontrollon klinika dhe spitale private, pasi ka dyshime se edhe shënjestra mund të jetë plagosur, ndërsa në ambient ka qenë i pranishëm edhe një punonjës policie.
Kjo ngjarje rikthen në vëmendje historinë e gjatë të gjakmarrjes mes fiseve Nikulaj dhe Lekstakaj, e cila kulmoi në vitin 2023 me vrasjen e Ardian Nikulajt në hollin e biznesit të tij. Nikulaj u ekzekutua me armë zjarri nga Ruben Saraiva, i cili u fut në ambient i maskuar si shpërndarës pakosh dhe e qëlloi për vdekje, duke i marrë jetën në vend. Hetimet zbuluan se vrasja ishte porositur dhe financuar nga Edmond Haxhia, i afërm i familjes Lekstakaj, me ndihmën e disa shtetasve britanikë, të cilët ndodheshin jashtë vendit.
Historia e hakmarrjes nisi në vitin 1996, në një pikë karburanti në dalje të Lezhës, për një pagesë prej vetëm 5 mijë lekësh të vjetra. Pëllumb Nikulaj dhe Fran Qulaj, punonjës në karburant, u përplasën me një anëtar të familjes Lekstakaj për pagesën e karburantit. Pak minuta më vonë, një i armatosur u kthye dhe qëlloi, duke vrarë vëllain e Pëllumb Nikulajt dhe Fran Qulajn. Më pas, më 29 shtator 1997, në Balldre të Lezhës, u vranë Gëzim Ded Lekstakaj dhe Lauren Ndoc Gjetja, ndërsa më 30 mars 1999 u vra Gjovalin Lekstakaj dhe u plagos Pjetër Lekstakaj. Dëshmitar i ngjarjeve ishte Klodian Lekstakaj, djali i Gjovalin Lekstakajt, i cili u largua në Angli dhe kërkoi statusin e dëshmitarit të mbrojtur, por iu mohua nga autoritetet shqiptare. Në mars të vitit 1999, dy anëtarë të familjes Lekstakaj, Gjovalini dhe Pjetri, qëlluan me armë ndaj Nikoll Nikulajt, xhaxhait të Ardian Nikulajt, i vrarë më vonë, ndërsa Nikoll Nikulaj u kundërpërgjigj me pushkë gjuetie, duke vrarë Gjovalinin dhe plagosur Pjetrin, i cili u largua në Birmingham, Mbretëria e Bashkuar. Konflikti arriti kulmin në vitin 2023, kur Edmond Haxhia, i afërm i Lekstakajve dhe banues në Britani, organizoi vrasjen e biznesmenit Ardian Nikulaj alias Marku në Shëngjin të Lezhës.