Në Qendrën Shëndetësore nr. 1 në Elbasan, kushtet higjieno-sanitare janë shumë të këqija. Tualetet bllokohen shpesh dhe gjendja është e papranueshme, me erë të rëndë, mungesë uji dhe sapuni. Kjo situatë rrezikon seriozisht shëndetin e stafit dhe të qytetarëve që marrin shërbim, ndërsa ankesat e përsëritura nuk janë marrë parasysh nga institucionet përgjegjëse.
Kjo tregon mungesë kujdesi dhe përgjegjësie nga Ministria e Shëndetësisë, e drejtuar nga ministrja Evis Sala, e cila duhet të garantojë kushte minimale dhe dinjitoze në qendrat shëndetësore. Është e papranueshme që në një institucion publik shëndetësor të mungojnë gjërat më bazike, ndërkohë që qytetarët dhe punonjësit detyrohen të përballen çdo ditë me këtë realitet.
Qytetarët kërkojnë masa të menjëhershme dhe ndërhyrje serioze për zgjidhjen e problemit.
"Përshëndetje JOQ! Me falni për shqetësimin, por desha të bëj një konstatim në Qendrën Shëndetësore nr. 1, ose ish-poliklinika e vjetër dentare, Elbasan. Ndodh që herë pas here të ketë bllokim të tualetit në mënyrën më të ndyrë të mundshme. Së bashku me punonjësit e kësaj qendre kemi kërkuar disa herë të bashkohemi dhe të bëjmë një rregullim për mirëmbajtjen e tualetit, por kjo nuk është marrë parasysh dhe ne vazhdojmë të vuajmë pasojat. Rrezikohemi seriozisht për shkak të mungesës së higjienës, erës së rëndë dhe kushteve të papërshtatshme (ujë, sapun), si për stafin ashtu edhe për qytetarët/pacientët. Kërkoj marrjen e masave të menjëhershme", shkruan qytetarja.