Dokumente të reja të publikuara nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë lidhur me çështjen Jeffrey Epstein kanë rikthyer vëmendjen mbi disa komunikime ku përmenden emra të njohur të botës së politikës dhe biznesit.
Sipas një email-i të datës 21 tetor 2009, të cilin dokumentet e publikuara e lidhin me këtë dosje, publicistja Peggy Siegal i ka shkruar Epstein-it për një afterparty të organizuar në shtëpinë e Ghislaine Maxwell, pas premierës së filmit “Amelia”.
Në këtë email, Siegal përmend se në të njëjtën mbrëmje kanë qenë të pranishëm edhe disa figura të njohura, mes tyre ish-presidenti amerikan Bill Clinton, si dhe drejtuesi i Amazon, Jeff Bezos. Po ashtu, në email përmendet edhe regjisorja Mira Nair, e njohur edhe si nëna e kryebashkiakut të New York-ut, Zohran Mamdani.
“Sa dola nga townhouse i Ghislaine… afterparty për filmin. Bill Clinton dhe Jeff Bezos ishin aty… Jean Pigoni, regjisorja Mira Nair… etj”, thuhet në email, sipas dokumenteve të publikuara.
Në të njëjtin komunikim, publicistja përshkruan edhe reagimin e disa të ftuarve ndaj filmit, duke e cilësuar atë si “të vakët”.
Ndërkohë, publikimi i këtyre materialeve vjen pasi Departamenti Amerikan i Drejtësisë njoftoi se ka nxjerrë në dritë një volum të madh dokumentesh, që përfshijnë miliona faqe, si edhe materiale video e imazhe të lidhura me hetimet ndaj Epstein.
Në dokumente përmenden edhe komunikime të tjera që lidhen me figura të njohura, përfshirë edhe disa shkëmbime email-esh ku përmendet emri i Elon Musk, megjithatë këto materiale nuk përbëjnë domosdoshmërisht prova për ndonjë përfshirje apo shkelje ligjore.