Një rast i rëndë ndëshkimi publik është raportuar në provincën Aceh në Indonezi, ku një burrë dhe një grua janë dënuar me nga 140 goditje me kamzhik secili, sipas ligjeve lokale të Sharias.
Sipas raportimeve, çifti u ndëshkua publikisht në një park, nën praninë e dhjetëra qytetarëve. Ata u goditën në shpinë me një shkop të hollë prej bastuni, ndërsa ndëshkimi u krye nga persona të maskuar.
Autoritetet lokale bëjnë me dije se dënimi përfshinte 100 goditje për marrëdhënie seksuale jashtë martese dhe 40 të tjera për konsumim alkooli, duke e çuar totalin në 140 goditje për secilin.
Gjatë ndëshkimit, gruaja humbi ndjenjat pasi i ranë të fikët, dhe më pas u shoqërua me ambulancë për ndihmë mjekësore. Ndërkohë edhe burri u pa duke shfaqur shenja dhimbjeje gjatë goditjeve, sipas pamjeve të publikuara.
Raportohet se ky është ndër rastet me numrin më të lartë të goditjeve të dhëna publikisht në Aceh, rajoni i vetëm në Indonezi ku zbatohet një version i ligjit Sharia, pas autonomisë së veçantë të dhënë në vitin 2001.
Në të njëjtën ditë, sipas autoriteteve, u ndëshkuan edhe persona të tjerë për shkelje të kodit islamik lokal, përfshirë edhe një efektiv të policisë së Sharias dhe partneren e tij, të cilët morën nga 23 goditje secili.
Ndëshkimi me kamzhik në Aceh mbetet i mbështetur nga një pjesë e komunitetit si masë frenuese, por është kritikuar prej vitesh nga organizata ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, të cilat e konsiderojnë këtë praktikë si çnjerëzore dhe poshtëruese.