Dosja Epstein: Dokumentet e publikuara zbardhin komunikimet ku përmendet Behgjet Pacolli

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 01.02.2026, 21:00

Dokumentet e publikuara nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë lidhur me çështjen Jeffrey Epstein kanë nxjerrë në pah edhe komunikime ku shfaqen emra të njohur, përfshirë edhe figura politike nga Kosova.

Në një nga email-et e publikuara në faqen zyrtare të autoriteteve amerikane, rezulton se përmendet edhe emri i biznesmenit dhe politikanit Behgjet Pacolli.

Bëhet fjalë për një email të datës 19 shtator 2012, ku dërguesi, i identifikuar si “Daniel”, i shkruan Epstein-it dhe i kërkon që të shohë një video. Mesazhi mban titullin: “Kush është Behgjet Pacolli?”.

“Përshëndetje Jeffrey, princesha dëshiron që ti ta shohësh këtë video”, thuhet në përmbajtje, ndërsa bashkëngjitur ka qenë edhe një link në YouTube, i cili aktualisht nuk është më i aksesueshëm.

Në të njëjtin komunikim, përmendet edhe Konsulli i Republikës së Kosovës në Tajlandë në atë kohë, Mom Luang Rajadasari Jayankura, e cila, sipas email-it, kërkon që videoja t’i përcillet Epstein-it.

E njëjta figurë përmendet edhe në një tjetër email të vitit 2012, ku flitet për një takim të mundshëm në New York, gjatë kohës kur zhvilloheshin takimet në kuadër të Kombeve të Bashkuara.

“Mirë se vini në Paris. Princesha nga Tajlanda do të jetë në New York, në Kombet e Bashkuara, me presidenten e Kosovës. Ajo do të donte t’ju takonte nëse keni kohë këtë javë”, thuhet në email.

Në atë periudhë, presidente e Kosovës ishte Atifete Jahjaga, edhe pse në email nuk përmendet me emër.

Ndërkohë, Mom Luang Rajadasari Jayankura është shprehur edhe më herët publikisht se ka pasur rol në lobimin për njohjen e Kosovës nga Tajlanda, duke thënë se ka punuar edhe për mbështetje nga vende të tjera.

Në një shkrim autorial të saj, ajo ka treguar se është njohur me Behgjet Pacollin në Filipine në nëntor të vitit 2011 dhe se më pas ka vendosur të angazhohet për kauzën e njohjes së Kosovës si shtet sovran.

Ajo thekson se e ka konsideruar të drejtë ekzistencën e Kosovës si entitet autonom dhe se ka bashkuar përpjekjet me Pacollin, duke e cilësuar angazhimin e tij si të admirueshëm.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit