Sot do të kujtojmë një nga momentet më poetike të retorikës politike moderne, të shënuar më 1 shkurt 2025 gjatë Kuvendit Kombëtar të Forumit Rinor të Partisë Socialiste për zgjedhjet e 11 Majit. Në qendër të vëmendjes aso kohe ishte fjalimi i një të riu të FRESH, Dashnor Veizaj, i cili e përshkroi rininë si “petalet më të bukura të trëndafilit socialist që nuk venitet kurrë”, duke ngritur elozhin politik në nivel metafore botanike.
Një vit më pas, veç se si lëpirje për të rënë në sy të kryetarit socialist Edi Rama, këto fjali tingëllojnë më shumë si kopje stilistike e fjalimeve të diktatorit Enver Hoxha, ku rinia përshkruhej si forca punëtore, luftëtare dhe gjithmonë mirënjohëse ndaj partisë. “Ne punojmë, ne luftojmë”, një refren kolektiv që fshin individin dhe mendimin kritik, duke e shndërruar të riun në zë kori, jo në qytetar me ide, dilema dhe pyetje.
Por pjesa më shqetësuese mbetet portreti i rinisë që vrapon pas duartrokitjes, pas metaforës boshe dhe pas miratimit të strukturave, pa u ndalur të pyesë ku po shkon dhe pse. Një rini që mëson të lavdërojë para se të mendojë, të brohorasë para se të kundërshtojë dhe të rreshtohet para se të zgjedhë. Satira sot nuk është te fjalimi, por te fakti që pas një viti, ai ende përfaqëson një model të rinisë që ushqehet me slogan dhe jo me liri mendimi.