Pak më parë publikuam një video ku shihej shembja e një masivi dheu dhe gurësh në aksin Librazhd–Prrenjas, dhe sipas banorëve shkak janë punimet për Korridorin VIII. Rruga mbeti e bllokuar plotësisht, duke bërë të pamundur kalimin e automjeteve dhe duke krijuar probleme serioze për banorët dhe udhëtarët.
Si pasojë e kësaj gjendjeje, një ambulancë që po transportonte një grua me këmbë të thyer u bllokua nga shembja. Stafi mjekësor e nxori pacienten nga ambulanca, duke e kaluar në anën tjetër të rrugës përmes lumit pranë aksit, për të vazhduar udhëtimin drejt Spitalit të Elbasanit dhe për t’i dhënë ndihmën e nevojshme.
Problemet e tilla janë rezultat i punimeve të paplota, mosrespektimit të standardeve dhe mirëmbajtjes së dobët. Ata nënvizojnë se është e nevojshme të merren masa urgjente për të parandaluar shembje të tjera në segmentin shqiptar të Korridorit VIII, i cili është pjesë e një korridori ndërkombëtar strategjik.