Një rritje e pazakontë e nivelit të ujit të detit është regjistruar në orët e para të mëngjesit të sotëm në qytetin e Vlorës, rreth orës 02:45. Sipas peshkatarëve vendas, niveli i detit u rrit me gati 1 metër, një fenomen që ata thonë se nuk është vërejtur më parë me këtë intensitet dhe që ka tejkaluar ndjeshëm baticat e zakonshme.
Si pasojë e kësaj rritjeje të menjëhershme, uji ka avancuar drejt tokës duke depërtuar në disa zona pranë qendrës së peshkimit në Radhimë. Varkat e ankoruara janë tendosur fort nga litarët, ndërsa uji ka vërshuar edhe në magazinat pranë portit të peshkimit, duke shkaktuar shqetësim për dëmtimin e mjeteve dhe pajisjeve të punës së peshkatarëve.
Situata është bërë edhe më shqetësuese nga fakti se disa peshq janë parë të dalë në tokë, një dukuri që zakonisht shoqëron detin e trazuar ose ndryshime të forta të nivelit të ujit. Peshkatarët theksojnë se zakonisht luhatjet mes baticës dhe zbaticës janë 40–60 centimetra, por këtë herë rritja ka qenë mbi 1 metër, duke ngritur pikëpyetje mbi shkaqet e këtij fenomeni të rrallë.