Një afresk i restauruar së fundmi në Bazilikën “San Lorenzo in Lucina”, në qendër të Romës, ka ngjallur kureshtje dhe debate, pasi një nga engjëjt e paraqitur në të duket se ka një ngjashmëri të habitshme me kryeministren italiane, Giorgia Meloni. Kisha, një nga më të vjetrat në Romë, është e njohur edhe për bustin e mermerit të mbretit të fundit të Italisë, Umberto II, mbi të cilin ndodhet afresku me dy engjëj, më parë pak i vënë re nga publiku.
Pas restaurimit, vëmendja është përqendruar te njëri prej engjëjve, i quajtur tashmë nga mediat “Engjëlli Meloni”, i cili mban një rrotull ku shfaqet Italia në formë çizme, ndërsa engjëlli tjetër i dorëzon një kurorë mbretit të përbuzur. Sipas gazetës “La Repubblica”, restauratori Bruno Valentinetti ka pasur lidhje të hershme me të djathtën italiane, çka ka shtuar edhe më shumë spekulimet rreth simbolikës së afreskut.
Prifti i bazilikës, Daniele Micheletti, pranoi se “ka një ngjashmëri të caktuar”, por theksoi se shpjegimet duhen kërkuar nga restauratori. Vetë Valentinetti mohoi çdo qëllim të tillë, duke deklaruar se ai thjesht ka restauruar afreskun ashtu siç ishte 25 vite më parë. Ndërkohë, Meloni reagoi me humor, duke postuar foton e engjëllit në Instagram me mbishkrimin: “Jo, sigurisht që nuk dukem si një engjëll”, shoqëruar me një emoji buzëqeshës.