Policia greke ka arrestuar dje katër persona pranë Kampusit Universitar në Zografou të Athinës, të dyshuar si pjesë e një organizate kriminale që trafikonte drogë brenda ambientit universitar. Sipas mediave greke, mes të arrestuarve janë dy shtetas shqiptarë dhe dy grekë. Gjatë operacionit, autoritetet sekuestruan sasi të mëdha droge dhe para cash.
Hetimet tregojnë se që nga shtatori i vitit 2025, grupi kishte krijuar një strukturë të organizuar me role të ndara dhe veprimtari të vazhdueshme për shpërndarjen e kanabisit të papërpunuar në zonën e kampusit. Një shtetas grek 49-vjeçar vepronte si shitës, duke qëndruar çdo ditë në pikën e caktuar të shitjes, ndërsa furnizimi me drogë bëhej nga drejtuesi shqiptar i organizatës.
Zbulimi i aktivitetit kriminal u bë pasi një oficer policie, i infiltruar si klient, bleu kanabis kundrejt 10 eurove. Nga kontrollet në banesat e të arrestuarve u sekuestruan mbi 26 kilogramë kanabis i papërpunuar, 24.5 gramë kokainë, rreth 24,595 euro cash, tetë telefona celularë, dy laptopë dhe një motoçikletë e përdorur për lehtësimin e veprimtarisë kriminale.