Delegatët e Lidhjes Demokratike të Kosovës kanë votuar pro qëndrimit të Lumir Abdixhikut si kryetar i partisë, në një proces që u zhvillua përmes votimit të fshehtë.
Pas vendimit, Abdixhiku reagoi përmes një postimi, duke e cilësuar procesin si shprehje të “demokracisë maksimale” dhe si dëshmi se vota e lirë mbetet themeli i besimit brenda LDK-së.
Ai theksoi se vendimi i delegatëve u mor pa frikë dhe pa imponim, duke respektuar secilin votues dhe lirinë e mendimit.
“Sot nuk kemi arsye për triumf, por për vetëdije”, ka shkruar Abdixhiku, duke shtuar se LDK-ja duhet të vazhdojë me maturi, bashkim dhe përulësi në përballjen me sfidat e ardhshme.
Kryetari i LDK-së ka theksuar se partia ka përpara misionin e ringritjes dhe se besimi i dhënë nga delegatët përbën një përgjegjësi të madhe për të ecur përpara “si të vërtetë”.