Iu përmend emri në dosjet e Epstein, jep dorëheqjen i dërguari i BE për dialogun Kosovë-Serbi

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 31.01.2026, 21:00

Miroslav Lajçak, një nga emrat më të njohur të diplomacisë sllovake dhe europiane, ka njoftuar dorëheqjen nga posti i këshilltarit të kryeministrit të Sllovakisë, Robert Fico, pasi emri i tij u përmend në dokumente që lidhen me skandalin Jeffrey Epstein.

Ngjarja mori vëmendje të madhe pas raportimeve se Lajçak kishte pasur më herët komunikime me Epstein, financierin amerikan të dënuar për abuzime seksuale dhe trafikim të qenieve njerëzore, çka solli menjëherë reagime dhe debat publik.

Sipas informacioneve, emri i Lajçakut është shfaqur në disa shkëmbime mesazhesh, duke ngritur pikëpyetje për natyrën e kontakteve, pavarësisht karrierës së gjatë të tij në diplomaci, ku ka mbajtur poste të rëndësishme si Ministër i Jashtëm i Sllovakisë, si edhe i dërguar i BE-së për dialogun Kosovë–Serbi.

Në reagimin e tij, Lajçak mohoi që komunikimet të kenë qenë kompromentuese. Ai theksoi se kontaktet kanë qenë rastësore dhe informale, jo profesionale, dhe se nuk ka përfituar asgjë prej tyre.

“Po ta kisha ditur më herët natyrën kriminale të veprimeve të Epstein, nuk do të kisha ndërvepruar me të”, u shpreh ai, duke shtuar gjithashtu se nuk mund të konfirmojë saktësinë e plotë të të gjitha mesazheve që po qarkullojnë.

Ndërkohë, kryeministri Robert Fico pranoi dorëheqjen e tij, duke e cilësuar Lajçakun si një diplomat të jashtëzakonshëm. Fico kritikoi reagimet publike, duke i konsideruar të ekzagjeruara dhe të bazuara në spekulime, ndërsa tha se largimi i Lajçakut është një hap për të shmangur dëmtimin e imazhit të shtetit sllovak në një periudhë të ndjeshme.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit