Banorët e fshatit Drenovicë, në Bashkinë Dimal, denoncojnë mungesën totale të ndriçimit rrugor prej më shumë se 10 ditësh. Pavarësisht se paguajnë rregullisht taksën për ndriçimin publik, asnjë nga dritat e rrugës nuk është ndezur.
Bëhet fjalë për një nga fshatrat me më shumë lëvizje në zonën e Beratit, ku ndodhen shumë biznese përgjatë rrugës kryesore dhe ku qarkullimi është i lartë gjatë gjithë ditës. Situata bëhet edhe më shqetësuese gjatë orëve të mbrëmjes, pasi rruga mbetet në errësirë totale, pa asnjë ndriçim apo sinjalizim.
Në këtë zonë ka edhe fëmijë që shkojnë çdo ditë në dyqane apo lëvizin përgjatë rrugës, duke u përballur me rrezik real për aksidente. Banorët shprehen se kanë bërë ankesa pranë instucioneve përgjegjëse, por deri tani nuk ka asnjë reagim nga institucionet përkatëse.
Ata kërkojnë që Bashkia Dimal të marrë masa sa më shpejt për ndezjen e ndriçimit rrugor, pasi errësira po rrezikon sigurinë e banorëve.