Një 44-vjeçar është proceduar penalisht nga Prokuroria e Durrësit, ndërsa dy persona të tjerë janë shpallur në kërkim, pasi në bashkëpunim kanë dhunuar një çift dhe i kanë dëmtuar automjetin pas një konflikti për motive të dobëta.
Sipas Policisë, ngjarja ka ndodhur më 30 janar 2026, rreth orës 17:30, në lagjen nr. 14, Nishtulla. Pas një konflikti të çastit, shtetasi A. Z., 44 vjeç, në bashkëpunim me shtetasit S. Z., 46 vjeç, dhe V. R., 37 vjeç, kanë goditur me grushte shtetasit F. M., 55 vjeç, dhe L. M., 55 vjeçe.
Po ashtu, autorët kanë dëmtuar automjetin tip “Ford Focus”, duke thyer xhamat e derës së shoferit dhe pasagjerit, në pronësi të shtetasit L. M.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës kanë referuar materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës për veprat penale “Plagosje e lehtë me dashje” dhe “Shkatërrimi i pronës”, të kryera në bashkëpunim.
Ndërkohë, Policia ka shpallur në kërkim shtetasit S. Z. dhe V. R., të dy banues në lagjen nr. 14, Nishtulla, dhe vijon puna për kapjen e tyre.