Të paktën 6 persona kanë humbur jetën dhe disa të tjerë janë plagosur pas dy shpërthimeve të ndryshme në jug dhe jugperëndim të Iranit, raportojnë mediat lokale.
Sipas agjencisë iraniane të lajmeve Mehr, një shpërthim ndodhi në një kompleks banimi me katër njësi në lagjen Kianshahr në qytetin Ahvaz (jugperëndim), ku u raportua se 5 persona humbën jetën, si pasojë e mosrespektimit të masave të sigurisë.
Shërbimi zjarrfikës i Bashkisë së Ahvazit deklaroi se shpërthimi u shkaktua nga një rrjedhje në rrjetin e gazit të qytetit.
Ndërkohë, një tjetër shpërthim u regjistrua në një ndërtesë 8-katëshe në qytetin Bandar Abbas në jug të Iranit, ku sipas agjencisë Fars, një substancë ende e paidentifikuar shpërtheu brenda godinës.
Nga ky shpërthim u vra një vajzë 4-vjeçare, ndërsa rreth 14 persona të tjerë mbetën të plagosur.
Po ashtu, raportohet se mbi 10 automjete të parkuara pranë ndërtesës u dëmtuan në shkallë të ndryshme.