Komisioni i Mbrojtjes pranë Këshillit të Lartë të Prokurorisë ka miratuar kërkesën e kreut të SPAK, Klodian Braho, për shtimin e masave të mbrojtjes ndaj prokurorit Altin Dumani.
Vendimi vjen në një periudhë kur presioni ndaj Dumanit është rritur ndjeshëm, për shkak të një sërë hetimesh të rëndësishme që mbajnë firmën e tij, veçanërisht gjatë kohës kur ai ushtronte detyrën e kryeprokurorit të SPAK.
Sipas vendimit të Komisionit të Mbrojtjes, masat shtesë të sigurisë nuk do të aplikohen vetëm për Altin Dumanin, por edhe për disa prokurorë të tjerë të Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Mes emrave të përfshirë në vendim është edhe prokurori Dritan Prençi.
Autoritetet nuk kanë dhënë detaje mbi natyrën konkrete të masave të shtuara të mbrojtjes, ndërsa theksohet se vendimi synon garantimin e sigurisë personale të prokurorëve të angazhuar në çështje me ndjeshmëri të lartë.