Izraeli kryen sulme ajrore në Gaza: 27 të vrarë, midis tyre dhe fëmijë

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 31.01.2026, 17:40

Izraeli ka kryer të shtunën sulmet ajrore më të rënda prej javësh në Gaza, duke lënë të paktën 27 të vrarë, mes tyre edhe 3 fëmijë, sipas zyrtarëve shëndetësorë palestinezë.

Raportohet se janë goditur një komisariat policie, shtëpi banimi dhe tenda ku strehoheshin të zhvendosur, në disa zona të Gazës.

Nga ana tjetër, ushtria izraelite deklaroi se objektivat ishin komandantë dhe pika të Hamasit si dhe të grupit Xhihadi Islamik, duke thënë se sulmet erdhën pas një shkeljeje të armëpushimit të ndërmjetësuar nga SHBA, i arritur në tetor.

Hamas reagoi duke thënë se Izraeli e ka shkelur marrëveshjen, por nuk dha detaje nëse anëtarë të tij u goditën.

Një nga sulmet më të rënda thuhet se goditi komisariatin Sheikh Radwan në perëndim të qytetit të Gazës, ku sipas burimeve lokale u vranë 10 policë dhe të ndaluar, ndërsa ekipet e shpëtimit vijojnë kërkimet për viktima të tjera nën rrënoja.

Sulme të tjera goditën dy shtëpi në Gaza City dhe një kamp me tenda në Khan Younis, ku strehoheshin palestinezë të zhvendosur.

Në pamje të publikuara nga Gaza shihen ndërtesa të djegura dhe të shkatërruara. Një familjar i 3 fëmijëve të vrarë u shpreh mes lotësh:

“Gjetëm tre mbesat e mia në rrugë… çfarë faji kishin ato?”

Izraeli tha gjithashtu se sulmet erdhën pas një incidenti të premten, ku sipas tyre 8 persona të armatosur dolën nga një tunel në Rafah. Ushtria izraelite pretendon se 3 u vranë, ndërsa një tjetër u arrestua dhe u cilësua si “komandant i Hamasit”. Hamas nuk ka reaguar për këtë rast.

Sipas autoriteteve shëndetësore në Gaza, mbi 500 persona janë vrarë që prej armëpushimit, shumica civilë. Ndërkohë, autoritetet izraelite thonë se militantët palestinezë kanë vrarë 4 ushtarë izraelitë.

Armëpushimi është vënë në pikëpyetje disa herë nga incidente të tilla, ndërsa SHBA po shtyn palët drejt fazave të tjera të marrëveshjes, ku përfshihen çështje të vështira si çarmatimi i Hamasit, tërheqja izraelite dhe vendosja e një force ndërkombëtare paqeruajtëse.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit