Gjermania propozon një armë bërthamore të përbashkët europiane

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 31.01.2026, 17:10

Ish-ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Joschka Fischer, ka hedhur në tryezë idenë e krijimit të një kapaciteti bërthamor të përbashkët europian, duke argumentuar se Europa nuk mund të mbështetet më te sistemi aktual i sigurisë.

Në një intervistë për gazetën gjermane Tagesspiegel, Fischer deklaroi se garancitë tradicionale të sigurisë nuk janë më të mjaftueshme përballë realiteteve të reja gjeopolitike.

“Garancitë e sigurisë amerikane nuk janë më të besueshme nga ky moment. Gjermania pa dyshim ka përgjegjësi për udhëheqjen në Europë, por gjithmonë vetëm së bashku me të tjerët,” u shpreh ai.

Fischer theksoi se nuk bëhet fjalë për krijimin e një arme bërthamore kombëtare gjermane, por për një kapacitet të përbashkët të vendeve të Bashkimit Europian, i konceptuar si mjet parandalues dhe mbrojtës për sigurinë e kontinentit.

Në një deklaratë që shënon një ndryshim të fortë krahasuar me të kaluarën e tij politike, ish-kryediplomati gjerman tha se sot do të merrte edhe një vendim personal ndryshe:

“Nëse do të isha i ri sot, do t’i bashkohesha ushtrisë. Kohët kanë ndryshuar. Jemi të kërcënuar. Duhet të mbrohemi.”

Ai shtoi se çarmatimi nuk është më një opsion real, duke nënvizuar se armatimi ushtarak është i domosdoshëm për mbrojtjen e Europës. Sipas Fischer, vetëm përmes forcës dhe parandalimit mund të shmanget një sulm i mundshëm nga një “fqinj i gatshëm për agresion”.

“Nuk e kisha imagjinuar kurrë se do ta thoja ndonjëherë këtë. E gjithë karriera ime politike tregonte të kundërtën,” pranoi ai.

Propozimi i Fischer vjen në një kohë kur debati mbi autonominë strategjike europiane dhe të ardhmen e NATO-s po bëhet gjithnjë e më i fortë, ndërsa tensionet ndërkombëtare po riformësojnë arkitekturën e sigurisë në Europë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit