Banorët e zonës Bushtricë – Vilë në Kukës denoncojnë gjendjen e degraduar të rrugës, e cila mbetet e pakalueshme dhe rrezikon jetën e banorëve. Sipas tyre, rruga është bërë e vështirë për të lëvizur me makina, duke penguar edhe banorët e sëmurë si dhe mësuesit dhe infermierët të kryejnë detyrat e tyre.
Ata theksojnë se situata përkeqësohet çdo ditë dhe kërkojnë ndërhyrje urgjente për sigurimin e qarkullimit dhe sigurinë e jetës së qytetarëve. Kritikat drejtohen direkt ndaj kryebashkiakut të Kukësit, Albert Halilaj, i cili sipas banorëve nuk ka marrë asnjë iniciativë për të riparuar rrugën.
"Përshëndetje JOQ! Jam nga Kukësi dhe doja të denoncoja një rast shumë problematik me një rrugë në qarkun e Kukësit, në zonën Bushtricë – Vilë. Rruga është shumë e pakalueshme dhe Bashkia e Kukësit me kryetar Albert Halilaj, nuk ka marrë asnjë iniciativë për ta rregulluar, edhe pse rrezikon jetën e banorëve. Në këtë zonë ka njerëz të sëmurë dhe nuk mund të dalin dot me makina, as mësuesit dhe as infermierët nuk mund të arrijnë dot", shkruan banori.
Mungesa e veprimeve nga bashkia ka shkaktuar pakënaqësi te qytetarët, të cilët kërkojnë përgjegjësi dhe veprime konkrete për zgjidhjen e një problemi që ka vite pa u adresuar.