Kur bëhet fjalë për tenderat e shtetit, duket se fituesit dihen ende pa nisur gara. Rasti më i fundit vjen nga AKEP (ish-ERT), institucioni që drejtohet nga Gentian Sala.
Bëhet fjalë për një tender me vlerë rreth 200 milionë lekë të vjetra me TVSH për mirëmbajtjen e sistemeve të monitorimit në Shkodër, Vlorë, Korçë, Gjirokastër e Fier. Por, ajo që të lë pa fjalë nuk është shuma, por mënyra se si janë dhënë këto para.

Imagjinoni një garë vrapimi ku merr pjesë vetëm një person. Kush del i pari? Sigurisht, ai që është i vetëm! Kështu ka ndodhur edhe me kompaninë BNT ELECTRONICS në pronësi të Leonard Terpos dhe familjes Bojdani.
Dokumentet tregojnë se në këtë tender nuk ka pasur asnjë rival. Kompania ka hyrë e vetme, nuk është shqetësuar nga askush dhe ka marrë në xhep miliona lekë nga taksat tona.

Dyshimet për një fitues të paracaktuar shtohen kur sheh llogaritë. Shteti kishte vendosur në dispozicion rreth 202 milionë lekë të vjetra, dhe kompania "fituese" ka kërkuar rreth 200 milionë të vjetra me TVSH. Pra fituesi ka marrë 97% të shumës maksimale. Kur nuk ka rivalë, kompania nuk ka pse e ul çmimin, por kërkon maksimumin e mundshëm, pasi e di që paratë i ka të sigurta.
Kuptohet lehtë se ky tender ngre hije të forta dyshimi. Pse nuk morën pjesë kompani të tjera? A ishin kushtet "e qepura" vetëm për një firmë? Dihet se kur nuk ka konkurrencë, nuk ka as kursim dhe as cilësi.
Në fund të ditës, janë 200 milionë lekë që dalin nga buxheti i shtetit për një shërbim ku "fituesi" nuk u djersit fare për të mposhtur konkurrencën, sepse thjesht... konkurrenca nuk u lejua ose nuk u duk fare në horizont.
