Në një qytet që përmbytet sa herë bie shi, drejtori i Ndërmarrjes së Shërbimeve Publike ka gjetur zgjidhjen, një deklaratë sfiduese, thuajse arrogante, që tingëllon si tallje me qytetarët e Vlorës. Ilir Aliaj, emërim i shpejtë dhe i besuar i kryebashkiakes Bruna Mersini, vendosi sot t’i japë leksion realitetit, nëse Vlora përmbytet sa kohë ai mban postin, do të japë dorëheqjen.
Një fjali e madhe. Shumë e madhe për një qytet që mbytet çdo dimër e çdo verë.
Sepse Vlora nuk përmbytet “nëse” ai vjen ose ikën. Vlora përmbytet sa herë bie shi. Nuk ka teori, nuk ka propagandë, nuk ka nevojë për mbledhje këshillash bashkiakë për ta provuar. E dinë banorët, e dinë bizneset, e dinë shoferët që ngecin në rrugë dhe familjet që nxjerrin ujin me kovë nga dyqanet dhe banesat.
Dhe në mes të këtij realiteti, drejtori del dhe flet për “funksionim normal” të hidrovorit, pa një shifër, pa një raport, pa një dokument, pa një provë. Vetëm me fjalë. Fjalë që nuk thajnë asfaltin, nuk hapin kanalet dhe nuk shpëtojnë qytetin nga përmbytjet.
Më shqetësuese se deklarata e Aliajt është heshtja e Bruna Mersinit. Kryebashkiakja që e solli në detyrë, që mban përgjegjësi direkte për këtë menaxhim, duket se ka zgjedhur strategjinë klasike, të flasin vartësit, të përmbytet qyteti, dhe përgjegjësia të tretet në ujë.
Emërime miqsh, deklarata vetëlavdëruese dhe zero llogaridhënie. Ky është modeli që ndjek Bruna e Vlorës.
Në vend që qytetarëve t’u flitet për investime reale, për pastrim sistematik të kanalizimeve, për kapacitete reale të pompave dhe plane emergjence, u serviret një sfidë qesharake: “Nëse përmbytet, iki”.
Por problemi nuk është kur ikën drejtori. Problemi është kur përmbytet qyteti. Sepse dëmet nuk japin dorëheqje. Ato mbeten. Uji largohet, balta thahet, por pasojat i paguajnë qytetarët.
Vlora nuk ka nevojë për drejtorë që sfidojnë shiun dhe kryebashkiakë që fshihen pas tyre. Ka nevojë për institucione që punojnë para se të bjerë shiu, jo për deklarata pasi qyteti është kthyer në kënetë.
Deri atëherë, një gjë është e sigurt, në Vlorë mund të ndryshojnë emrat, postet dhe premtimet, por uji do të vazhdojë të bëjë atë që di më mirë, të nxjerrë zbuluar dështimin.