Më 30 janar 2024, në redaksinë e JOQ Albania mbërriti një denoncim tronditës nga një qytetar, i cili raportonte se motra e tij ndodhej në gjendje të rëndë në “Spitalin Amerikan II”. Sipas tij, ajo ishte futur në operacion për humbje peshe, pavarësisht se kurohej prej kohësh nga kanceri. Qytetari denoncoi se mjekët e spitalit, me në krye Rezarta Kapaj, e kishin kartelën mjekësore, por nuk e morën parasysh.
Vetëm disa orë pas publikimit të denoncimit, lajmi mori një kthesë tragjike. Irida Hasalla, motra e qytetarit, e cila pas operacionit kishte kaluar në vdekje klinike, ndërroi jetë. Sipas familjarëve, ndërhyrja u krye pasi spitali kishte marrë rreth 2000 euro, ndërkohë që gjendja e saj shëndetësore nuk e lejonte një operacion të tillë. Në ambientet e spitalit mbërriti policia dhe trupi u dërgua për autopsi.
Ngjarja riktheu edhe një herë akuzat e forta ndaj “Spitalit Amerikan” dhe pronarit të tij, Klodian Allajbeut, për vendosjen e fitimit mbi jetën e pacientëve. Sipas denoncimeve të përsëritura, mjekë dhe drejtues të këtij institucioni privat dyshohet se injorojnë protokollet mjekësore, duke rrezikuar jetë njerëzish vetëm për përfitime financiare.
Pavarësisht rëndësisë së rastit dhe reagimit të fortë publik, drejtësia deri më sot nuk ka ndërmarrë asnjë masë konkrete. Nuk është bërë e ditur asnjë përgjegjësi penale, as për mjekët e përfshirë dhe as për drejtuesit e spitalit. Një vit më pas, ky rast mbetet një tjetër histori e pazbardhur, ku heshtja e institucioneve shton dyshimet se përballë pushtetit dhe parave, jeta e qytetarëve vazhdon të mbetet pa mbrojtje.