Një shqiptar i dënuar, i njohur me nofkën “Demos”, u sulmua me thikë të enjten pasdite, pak pasi u transferua në burgun e Malandrinos në Greqi.
Sipas mediave greke, sulmi ndodhi menjëherë para se i dënuari të arrinte në repartin e tij. Ai pësoi lëndime të rënda, por sipas raportimeve, është jashtë rrezikut për jetën.
Mësohet se shqiptari ishte i përfshirë në tentativën e vrasjes së Jan Lalës në maj të 2025. Lala udhëtonte me makinën e tij dhe u qëllua me kallashnikov, por automjeti i blinduar e shpëtoi pasi ai nuk u plagos edhe pas 50 të shtënash.
“Demos” njihet gjithashtu për lidhjet e tij me një figurë të njohur të mafias greke, gjë që mund të ketë ndikuar në sulmin e fundit ndaj tij.