“Zari” i Grigor Jotit gëlltit 2.3 milionë euro nga AKSHI i Mirlindës

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 29.01.2026, 21:03

Ndërkohë që shqiptarët përballen me mungesën e barnave, në zyrat e AKSHI-t të cilat tashmë drejtohen me "telekomandë" nga Mirlinda Karçanaj në arrest shtëpie, recetat e sukseseve financiare shkruhen me shumë zero. "Pacienti" i radhës që po përfiton nga bujaria e shtetit është kompania Infosoft Systems, e cila sapo ka "kullufitur" një tender plot 2.3 milionë euro për mirëmbajtjen e sistemit e-receta.

Pronari në letra dhe "Mjeshtri" në hije

Fituesi i shpallur është një emër që çdo shqiptari i kujton menjëherë Grigor Jotin. Megjithëse në dokumente pronar figuron Armand Sharra, dyshimet e forta janë se ky i fundit është thjesht një "zar" në tavolinën e madhe të pokerit të tenderave. Joti ia "shiti" aksionet Sharrës vetëm 3 vite më parë, por aroma e Infosoft-it të vjetër ndihet në çdo kontratë të majmë që del nga magjia e AKSHI-t, duke na treguar se pronësia ndryshon me letra, por zakoni jo.

Një "Garë" ku rivalët harrojnë të japin çmim

Procedura e ndjekur ishte zyrtarisht "e hapur", por në fakt ngjante më shumë me një dasmë ku vjen vetëm dhëndri. Nga kontrolli i dokumentacionit i kryer nga JOQ Albania, rezulton se në këtë teatër morën pjesë vetëm 2 kompani. Por, këtu fillon mrekullia: kompania e dytë erdhi sa për të mbajtur ison dhe për të plotësuar numrin, duke mos paraqitur asnjë ofertë ekonomike.

Rrjedhimisht, Infosoft Systems mbeti e vetmja në pistë, duke e pasur fitoren më të sigurt se lindja e diellit, në një procedurë që tregon për fitues të paracaktuar dhe manipulim të pastër.

Matematika e "Kullufitjes": 88% e fondit limit

Kur nuk ke konkurrencë, nuk ke pse lodhesh me ulje çmimesh apo kursime për arkën e shtetit. Shifrat tregojnë një "pazar" të bërë me laps në dorë: nga një fond limit prej rreth 2.6 milionë euro (211,000,003.00 lekë pa TVSH), kompania fituese ka ofruar vlerën prej rreth 2.3 milionë euro (185,700,000.00 lekë pa TVSH).

Nëse i futemi llogaritë, rezulton se vlera fituese përbën plot 88% të fondit limit. Në një treg real, kompanitë luftojnë me thonj e me dhëmbë duke ofruar çmime shumë më të ulëta për të fituar kontratën. Por te AKSHI, Infosoft-i ka marrë pothuajse të gjithë "tortën", duke lënë pas vetëm një thërrime simbolike si kursim, pasi e dinte mirë që askush nuk do t'ia prishte gjumin me një ofertë më të lirë.

Sistemi i e-recetës mesa duket nuk shërben për të monitoruar ilaçet e të sëmurëve, por për të shëruar "urinë" e kompanive kliente që ushqehen me paratë publike. Me 2.3 milionë euro në xhep, "zari" i Grigorit mund të rrijë i qetë: sistemi do të "mirëmbahet" në letra, ndërsa paratë e shqiptarëve vazhdojnë të avullojnë me bekimin e drejtueses që edhe nga arresti, nuk harron t'i bëjë derman miqve të vjetër.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit