Një qytetar nga Tirana i është drejtuar redaksisë sonë për të denoncuar një rast të dyshuar mashtrimi, lidhur me zhdukjen e qenushit të tij, për të cilin prej muajsh nuk ka asnjë informacion.
Sipas denoncimit, qytetari ka dërguar qenin e tij për trajnim në një qendër të quajtur “Dog Training Desy”, e administruar nga një person me emrin Genti, së bashku me bashkëshorten e tij. Për shërbimin e trajnimit, ai ka paguar shumën prej 650 euro.
Pas dorëzimit të qenit, pronari shprehet se ka hasur vështirësi të vazhdueshme për të marrë informacion mbi gjendjen e kafshës. Ai pretendon se nuk i është lejuar asnjëherë ta takojë qenin dhe se administratorët e qendrës kanë shmangur vazhdimisht kontaktin me të.
Sipas qytetarit, herë pas here i është thënë se administratorët ndodheshin në spital për arsye shëndetësore dhe se do ta kontaktonin sapo të kishin mundësi, për t’i dërguar edhe video të qenit. Duke besuar këto shpjegime, ai ka pritur pa ushtruar presion.
Megjithatë, vetëm pak ditë më parë, pasi ka insistuar sërish për të komunikuar dhe për të marrë qenin e tij mbrapsht, qytetari thotë se është bllokuar në të gjitha rrjetet sociale dhe kontaktet telefonike nga ana e administratorëve të qendrës.
I ndodhur në këtë situatë, ai u bën thirrje publike pronarëve të qendrës “Dog Training Desy” që t’i kthejnë qenushin urgjentisht, përpara se çështja të ndiqet në rrugë ligjore dhe të denoncohet në polici.
Njëkohësisht, u bën apel edhe qytetarëve të tjerë që të tregojnë kujdes, duke i cilësuar personat në fjalë si “mashtrues”, sipas përvojës së tij.
JOQ Albania e publikon këtë denoncim për transparencë dhe sensibilizim, duke theksuar se bëhet fjalë për pretendime të denoncuesit, dhe mbetet në pritje të një reagimi nga faqja në fjalë apo nga autoritetet kompetente, për të pasqyruar çdo qëndrim zyrtar mbi këtë rast.