Ish-kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka reaguar për herë të parë pas rezultatit tejet të ulët të LDK-së në zgjedhjet e 28 dhjetorit. Reagimi i tij vjen pak para mbajtjes së mbledhjes ku pritet të vendoset nëse do të aprovohet dorëheqja e liderit aktual të kësaj partie, Lumir Abdixhiku.
Mustafa, përmes një statusi në Facebook, ka bërë thirrje që të ruhen standardet demokratike të LDK-së.
Sipas tij, në LDK nuk ka nevojë për ndarje gjeneratash.
“LDK-së nuk i nevojiten ndarjet në ne dhe ata; të vjetrit dhe të rinjtë; të mitë dhe të atyre para meje”, ka shkruar ai, mes tjerash.
Në fund të reagimit të tij, Mustafa ka kërkuar që përgjegjësia të trajtohet si standard i etikës demokratike, që nënkupton se rezultati ka pasojë.
Ai ka theksuar se LDK ka nevojë të mendojë për forma dhe mekanizma që sjellin sa më shumë anëtarë, simpatizantë dhe votues.
Reagimi i plotë i Isa Mustafës:
Miq të nderuar,
Kam shumë kërkesa nga media të ndryshme të deklarohem për rrjedhat aktuale në LDK. Jam munduar të mos involvohem me opinione për çështje të rezultatit zgjedhor, në debate për dorëheqje apo se kush duhet të jetë e kush të mos jetë në krye të LDK-së, duke konsideruar se përgjegjësia për rezultatin është çështje etike, nuk është çështje e testimit dhe licencimit. Kjo zgjidhet në organet vendimmarrëse të LDK-së; jo në deklarimet e ndonjë dege, të ndonjë simpatizanti, josimpatizanti apo të ndonjë debutueseje boshe se kush duhet të shkojë e kush jo nga LDK. Në LDK, problemet më së paku mund të zgjidhen me tifozllëk, andaj format e tilla të propagandës e deformojnë demokracinë dhe mund ta bëjnë Kuvendin e thirrur arenë të përçarjeve, që nuk i nevojitet LDK-së, e cila akoma nuk është shëruar nga një Kuvend i tillë i para njëzet vitesh.
LDK nuk meriton epitafe. Ata që e duan duhet ta duan me besim të plotë se LDK ka potencial, ka forcë vetërregulluese dhe mund të ringritet si subjekt i fortë politik, i cili siguron balancë në ndërtimin demokratik të shtetit të Kosovës. Duhet ta kuptojnë se LDK qëndron para çdo emri të përveçëm; se, përveç me kryetarin e saj historik Ibrahim Rugova, LDK nuk identifikohet me asnjë emër të veçantë.
Kuvendi, si organi më i lartë i Lidhjes Demokratike të Kosovës, do duhej të sigurojë se LDK nuk është parti as e vjetër as e re, por parti që zhvillohet mbi bazat e përcaktuara 36 vite më parë me aktin themelues të saj si parti konservatore e qendrës së djathtë, me orientim të palëkundur euroatlantik. LDK ka nevojë të rikonfirmojë se beteja e saj politike nuk është ankand se kush jep më shumë, por ofertë se si ndërtohet një shtet perspektiv, i fortë dhe i qëndrueshëm. Se LDK nuk mund të përdoret si platformë mbi të cilën do të ndërtohet diçka tjetër, duke e shfrytëzuar emrin e saj.
Reformat në LDK i bëjnë njerëzit të cilët i kanë qëndruar besnik LDK-së, të hapur për ardhje të reja dhe njerëz të rinj. LDK-së nuk i nevojiten ndarjet në ne dhe ata; të vjetrit dhe të rinjtë; të mitë dhe të atyre para meje. Ajo ka nevojë të mendojë për forma dhe mekanizma që sjellin sa më shumë anëtarë, simpatizantë dhe votues. Ndërkaq, përgjegjësia në LDK të trajtohet si standard normal i etikës demokratike që nënkupton se rezultati ka pasojë.
Kuvendi mund ta gjejë zgjidhjen më të mirë duke vlerësuar se çfarë është e dobishme për rritjen dhe progresin e LDK-së, për forcimin e unitetit të brendshëm të saj, për ofrimin e veprimtarëve dhe veprimtareve, sepse asnjë njeri në LDK nuk është i tepërt!