Sot rikujtojmë një denoncim të rëndë të bërë një vit më parë në redaksinë tonë, ku një punonjës policie akuzoi Mauricio Sheldija, asokohe oficeri i AMP-së Shkodër, se kishte nxjerrë për mediat materiale sekrete hetimore dhe dëshminë e një kolegu të tij. Sipas denoncimit, ky veprim ka vënë në rrezik të drejtpërdrejtë jetën e policit dhe të familjes së tij, duke shkelur rëndë ligjin dhe duke ngritur dyshime serioze mbi rolin e AMP-së, institucioni që duhet të mbikëqyrë dhe mbrojë efektivët e policisë.
Ky nuk ishte rasti i parë i përfshirjes së Sheldijas në skandale. Në prill të vitit 2024, JOQ ALBANIA e denoncoi atë për ushtrim dhune ndaj një 73-vjeçari, i cili kishte fituar një pronë me vendim gjykate. Sipas të moshuarit, Sheldija, duke shfrytëzuar postin dhe lidhjet në polici, e kishte kërcënuar dhe dhunuar për çështjen e pronës, ndërsa më pas dyshohet se angazhoi kolegë të tij për sekuestrimin e kamerave të sigurisë, me qëllim fshehjen e ngjarjes. Paralelisht, efektivë të Policisë Rrugore e kanë akuzuar për abuzim me detyrën dhe shtrëngim për marrje ryshfeti, duke i vendosur policët përballë zgjedhjes mes shkeljes së ligjit ose ndëshkimit arbitrar.
Rikujtimi i kësaj çështjeje sot nuk është rastësi. Pavarësisht akuzave dhe denoncimeve të përsëritura, në qershor të vitit 2025, Mauricio Sheldija kandidoi për drejtues të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), pa u përballur me asnjë pasojë ligjore. Një vit më pas, asnjë hetim publik dhe asnjë masë konkrete nuk është bërë e ditur ndaj tij, duke e kthyer këtë rast në simbol të pandëshkueshmërisë brenda institucioneve ligjzbatuese. Kjo ngjarje rikujtohet sot për të mos u harruar dhe për të ngritur një pyetje thelbësore: kush i mbron ata që denoncojnë, kur vetë sistemi duket se mbron abuzuesit?