Aksi rrugor Qukës–Qafë Plloçë, që u inaugurua me bujë dhe me investim prej 260 milionë eurosh nga kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku më 5 shtator të vitit të kaluar, po përballet sërish me problematika serioze.
Pas shembjes së masivit të dherave pak ditë më parë, mëngjesin e sotëm rruga u bllokua nga një tjetër rrëshqitje dhe qarkullimi i mjeteve është i mundur vetëm në një korsi. Rrëshqitjet e dherave vazhdojnë përgjatë gjithë aksit, duke paraqitur rrezik të madh për drejtuesit e automjeteve, ndërsa shumë qytetarë e shohin këtë rrugë si dështim i aftësive të inxhinierëve që e ndërtuan.
Shumë prej përdoruesve janë të detyruar të kalojnë me frikë, ndërsa buxheti i qindra milionëve duket të jetë përdorur më shumë për fotot e inaugurimit sesa për sigurinë e rrugës. Ironia është se, ndërkohë që rruga u prezantua si simbol i progresit dhe i investimeve madhore, realiteti sot tregon se aksi rrugor është ende një sfidë serioze për çdo drejtues mjeti.
Problemet strukturore dhe menaxhimi i dobët i rrëshqitjeve e bëjnë të qartë se investimi i shtrenjët nuk është shoqëruar me një plan të qëndrueshëm mirëmbajtjeje dhe sigurie.