Kryeministri Edi Rama ka folur sërish lidhur me përmbytjet masive që kanë prekur vendin, duke i cilësuar si një fenomen natyror që ndodh kudo në botë, dhe fajëson ndryshimet klimatike, jo hidrovoret apo sistemet e kanalizimit që shpesh dështojnë. Edhe pse mijëra qytetarë ndodhen prej disa ditësh në ujë dhe shumë banesa dhe prona janë të përmbytura, në podkastin e tij “Flasim” Rama tha se shteti sipas tij është në gjendje t’i përballojë situatat emergjente dhe ndihet krenar, duke lënë të kuptohet se qytetarët mund të presin që të mbijetojnë vetë në kushtet katastrofike.
Ai vazhdoi duke krahasuar situatën me vendet e tjera, duke përmendur Stambollin dhe fenomenet e jashtëzakonshme atmosferike, si për të justifikuar pasivitetin e qeverisë. Ndërkohë, qytetarët e përmbytur mbeten të pambrojtur, duke përjetuar dëmtime të pronave dhe humbje të mallit, ndërsa shteti i konsideron përpjekjet e tyre për mbijetesë si pjesë të kuadratit të ri të klimës. Mes kritikave, populli kërkon ndihmë reale dhe masa konkrete për të shpëtuar njerëzit dhe pasuritë, jo shpjegime të bukura për një krizë që ndodhi për shkak të infrastrukturës së papërgatitur dhe mosveprimit.
“Nuk ka prekur vetëm vendin tonë, të paktën jo për arsyet që ziejnë tenxheret mediatike por një hartë të gjerë, deri në Stamboll ku kishte pamje apokaliptike. Një masë ajri e ftohtë nga veriu është përplasur me një valë të ngrohtë nga Mesdheu që ka sjellë këtë situatë. Ndryshimi klimatik nuk do të thotë vetëm verëra të nxehta, por edhe stinë të pa qendrueshme dhe mot këmbëngulës. Më shumë zjarre dhe përmbytje, është tashmë një kuadrat i ri i klimës ku jetojmë, por jam krenar që në çdo situatë emergjence jemi më të përgatitur falë investimeve të bëra”, është shprehur Rama.