Banorët e lagjes Granicë në Gjirokastër denoncojnë se prej gjashtë ditësh janë të izoluar për shkak të prurjeve të mëdha të ujit nga reshjet e shiut. Sipas një banori, ndonëse në pjesën tjetër të qytetit janë kryer pastrime me mjete, kjo lagje është lënë pas dore nga bashkia e drejtuar nga Flamur Golemi, duke e përkeqësuar situatën dhe duke vështirësuar ndjeshëm lëvizjen.
Ai thekson se rruga e lagjes është në gjendje skandaloze dhe çdo ditë banorët rrezikojnë dëmtimin e automjeteve, ndërsa mungesa e ndërhyrjes nga autoritetet e bën situatën alarmante. Në rast emergjencash shëndetësore, banorët shprehen se detyrohen të transportojnë të sëmurët me krahë, në kushte që i krahasojnë me mesjetën, duke kërkuar ndërhyrje të menjëhershme nga institucionet përgjegjëse.
"Përshëndetje JOQ! Ju bëj me dije se në lagjen Granicë në Gjirokastër kemi 6 ditë të izoluar për shkak të prurjeve nga shirat që ranë. Në gjithë qytetin është pastruar me mjete, ndërsa lagjja Granicë, përveç rrugës që është skandaloze dhe ditë për ditë i rrezikojmë makinat kur kalojmë, bashkia nuk ka marrë mundimin të dërgojë një makinë për pastrim. Sikur të sëmuret dikush, duhet ta kalojmë me krahë si në mesjetë", shkruan banori.